E Diel, 1 Nëntor 2026

Lokalet 2011, Pollo: Votimi, elektronik

Votimi elektronik nuk është i pamundur të përdoret në zgjedhjet e ardhshme vendore. Sipas ministrit të Shtetit, Genc Pollo, struktura mund të realizohet pasi një hap është hedhur që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, ku procesi i numërimit mund të kontrollohej përmes kamerave nga KQZ-ja. Në gjykimin e tij, ajo që nevojitet, është vendosja e makinës elektronike në qendrat e votimit. Pollo vë në dukje se infrastruktura ekziston dhe nuk është shumë e kushtueshme që në çdo qendër votimi të vendosësh aparate ku me butona mund të votosh për PD-në, për PS-në, për parti të tjera dhe ky rezultat transmetohet live, përmes protokolleve të sigurisë në Komisionin Qendror Zgjedhor, i cili gjithashtu shumë shpejt mund të japë rezultatin final për një kohë shumë të shkurtër. Kjo, sipas tij, teknikisht është e realizueshme, sepse ne kemi përvojën e qershorit të vitit 2009. Nuk do të ketë më fletë votimi, nuk do të ketë më kuti votimi dhe ajo zgjedhje që bën zgjedhësi me gisht, përmes serverëve dhe linjave të transmetimit shkon në serverin e madh të Komisionit Qendror, regjistrohet dhe mund të shpallet në mënyrë simultane, në mënyrë të njëkohshme, - theksoi z. Pollo. Por a mundet që qytetarët të votojnë jo duke shkuar në qendrat e votimit, por nga shtëpia apo përmes internetit? Ky hap, sipas zotit Pollo, duhet të hidhet në një moment tjetër. Ndoshta ky është një hap edhe më tutje. Duhet një studim teknik për të parë se sa mund të bëhet nga shtëpia, - deklaroi ministri i Shtetit. Sipas z. Pollo, ajo që nevojitet së pari për të mundësuar këtë mënyrë votimi, është gjetja e një konsensusi politik. Votimi elektronik është një ide e hedhur nga Kryeministri Sali Berisha disa ditë më parë. Kryetari socialist Edi Rama nuk e kundërshtoi këtë ide, por sipas tij, në kushtet aktuale që ndodhet vendi, ajo bëhet e parealizueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›