KE publikon sot progres-raportin
Sot pritet të publikohet progres-raporti vjetor për Shqipërinë. Dokumenti është hartuar nga Komisioni Europian dhe përmban një skanim të situatës në Shqipëri gjatë vitit të shkuar. Ky tekst konsiderohet me një rëndësi primare, për shkak se shërben si bazë për vlerësimin e Shqipërisë në rrugën integruese në organizmat europiane. Ndonëse sot gjithçka do të bëhet zyrtare, ditë më parë është bërë e mundur të kuptohet thelbi i këtij raporti për Shqipërinë. Nga ajo çka është mësuar, Shqipëria ka marrë notë kaluese për zgjedhjet e 28 qershorit dhe vlerësime pozitive për reformat kyçe politike. Komisioni ka vlerësuar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, por ka shtuar se pikat nevralgjike dhe problematike të vendit tonë janë korrupsioni, shteti ligjor, pavarësia e gjyqësorit, pavarësia e institucioneve shtetërore dhe administratës. Në këtë mënyrë përmblidhet progresi i Shqipërisë në projekt-strategjinë e zgjerimit. Dokumenti, i shoqëruar me raportet e detajuara, evidenton çdo vit ecurinë e vendeve të Ballkanit dhe u drejtohet 27 shteteve anëtare të BE-së për vlerësim. "Shqipëria ka bërë progres në reformat kyçe politike. Zgjedhjet e qershorit 2009 plotësuan pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare, por më shumë përpjekje nevojiten ndaj parregullsive të vërejtura", thuhet në dokumentin e brendshëm të Komisionit Europian. Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, që përbën bazën e marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Europian, vlerësohet të jetë zbatuar pa pengesa. Pas pjesës pozitive, radha ju vjen sfidave me të cilat përballet vendi. Sugjerimet apo rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë lidhen ngushtë me shtetin ligjor, luftën ndaj korrupsionit dhe administratën. "Shqipëria duhet të bëjë progres, në veçanti ndaj shtetit ligjor, sidomos për luftën ndaj korrupsionit, sidomos për sa i takon funksionimit të duhur të institucioneve shtetërore, e në mënyrë të posaçme për pavarësinë e gjyqësorit. Kapacitetet administrative kërkojnë përforcim të mëtejshëm", vlerëson në mënyrë të përmbledhur Komisioni Europian.