E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: Konsensus për ligjin i ish-Spiunëve

Ligji “Për hapjen e dosjeve” duhet t’i nënshtrohet një debati publik të gjerë përpara marrjes së një vendimi përfundimtar. 

BLEDAR HOTI

Ky ka qenë reagimi i kreut të prezencës së OSBE-së, Robert Bosch, në lidhje me procesin e miratimit të ligjit “Për hapjen e dosjeve” dhe debatin që ka nisur prej rreth një muaji mes maxhorancës dhe opozitës për këtë çështje. Gjithashtu OSBE-ja kërkon një konsensus të gjerë për miratimin e një ligji të tillë. Në një deklaratë zyrtare për median, kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, nxit ligjvënësit shqiptarë t’u japin kohën e mjaftueshme konsultimeve për legjislacionin lidhur me ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist, ndërsa theksoi rëndësinë që ka për vendin zgjidhja e kësaj çështjeje dhe përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare. Ai, gjithashtu, shprehu shqetësimin se çështja nuk do të zgjidhej përfundimisht pa arritjen e një konsensusi të gjerë dhe se “rihapja e vazhdueshme e kësaj çështjeje do të ishte në dëm të zhvillimit të Shqipërisë”. “Prezenca e OSBE-së dëshiron të përsërisë edhe një herë qëndrimin e saj se i gjithë legjislacioni me rëndësi të veçantë për publikun, veçanërisht kur ka të ngjarë që të krijojë kundërshti, duhet të miratohet në mënyrë të atillë që të lejojë kohë të mjaftueshme për konsultim me ekspertë, grupe të interesit dhe publikun e gjerë. Veç kësaj, duhet të lihet hapësirë kohore për debate të gjalla në Kuvend”, deklaroi ambasadori Bosch. Këto kanë qenë qëndrimet e kreut të kësaj organizate ndërkombëtare, duke dalë kundër idesë për votimin e projektligjit në seancën parlamentare të datës 21 korrik. Bosch, sipas deklaratës për median, “vërejti se Shqipëria është angazhuar që t’i miratojë ligjet vetëm pasi t’u nënshtrohen procedurave publike të mjaftueshme. Gjithashtu, ai tërhoqi vëmendjen te nevoja për të siguruar që çdo ligj i miratuar t’u nënshtrohet mjeteve procedurale të një shteti demokratik, të bazuar në sundimin e ligjit”. Ambasadori Bosch vërejti se prej shumë muajsh një sërë draftesh janë paraqitur në Kuvend pa i shtruar hollësitë e tyre në një debat serioz, qoftë në Parlament apo me publikun e gjerë, dhe se programi aktual i Kuvendit nuk duket se ofron kohën e nevojshme për një diskutim të tillë. “Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ndihmojë autoritetet shqiptare në këtë çështje, në përputhje me mandatin e saj”, u shpreh ambasadori Bosch. Projektligjet për hapjen e dosjeve kanë mbi dy vjet që qëndrojnë në Parlament. Tre partitë politike Socialiste, Demokrate dhe Demokristiane depozituan draftet e tyre, por që nuk u realizua asnjëherë një diskutim konkret nga ana e komisionit parlamentar, duke mos u votuar në seancat parlamentare. Përplasjet politike dhe debatet e ashpra mes maxhorancës dhe opozitës për këtë çështje për dosjet e spiunëve dhe të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, duket se i po paraprijnë ndërhyrjeve të faktorëve apo dhe organizmave ndërkombëtare për të realizuar votimin e një ligji sa më konsensual.

Dule: Tërhiqemi nga ligji i hapjes së dosjeve

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, njëra prej partive të koalicionit qeveritar tërhiqet nga iniciativa për hapjen e dosjeve. Kjo për Dulen ka vetëm një shpjegim, që ka të bëjë me faktin se sipas tij, çështja e hapjes së dosjeve po përdoret për interesa të vogla politike dhe jo në shërbim të koherencës sociale në mënyrë, që vendi të ndahet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e vet komuniste. “Në kushtet politike dhe kryesisht duke pasur parasysh se gjendemi një vit para zgjedhjeve më lejoni të shprehem pesimist. Dëshiroj të distancohem nga të gjitha këto nisma, për arsye se duhej të kishte ndodhur në Shqipëri një zhvillim i tillë”, u shpreh Dule. Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shprehet indiferent për lëvizjet në kabinetin qeverise, ku republikanët pritet të përfaqësohen sërish me ministri. Sipas Dules, kabineti qeveritar duhet të përfshihet nga një reformim i thellë, pasi sipas tij ka nevojë për rifreskim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›