E Diel, 1 Nëntor 2026

Ka përgjigje Kryeministri për mua?

 

Nga hetimet e fundit mbi Gërdecin, dalin dhjetëra gjëra tronditëse për një shoqëri. Mbi të gjitha, ka marrë një goditje shumë të rëndë, besimi qytetar që në pushtetin politik të ketë mbetur dikush ende i ndershëm.

Unë doja të theksoja dy gjëra. E para, ne kemi një problem serioz si shoqëri me Kryeministrin e këtij vendi. Prokuroria dhe Gjykata le të vazhdojnë punën e tyre dhe sipas takatit, le ta nxjerrin apo jo fajtor Berishën për Gërdecin.

Por ajo që si qytetar ka rëndësi për mua, janë dy gjëra.

E para, Kryeministri a mund të ketë pas gjithë këtyre ngjarjeve me Gërdecin, dhe pas Gërdecit, të drejtë morale të më flasë për luftën kundër korrupsionit? Për mua është një fyerje që ai të vazhdojë ta bëjë këtë. Sigurisht që mund të vazhdojë ta bëjë për syleshët dhe ata që nuk kanë asnjë respekt për veten, por unë nuk mund të suportoj të më japë mend për antikorrupsionin, një individ me këto probleme.

E dyta, së paku në një episod të Gërdecit, Kryeministri më ka gënjyer rëndshëm, pa patur pikën e respektit për mua si votues.

Ai tha që “Gërdecin e kishte dëgjuar për herë të parë në 15 Mars”.

Tashmë del që këta paskan organizuar çdo gjë, natë e ditë, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Vetë Kryeministri e pranoi këtë në intervistën për “Corriere Della Sera”, kur tha që i kishte propozuar Karzait ta merrte falas municionin. Dhe tashmë, gjithashtu, del që ai dhe Ministri i tij përfaqësues në këtë aferë, kanë folur edhe me Ambasadën Amerikane shumë shpesh për këtë trafik.

Kjo gënjeshtër është publike tashmë dhe nuk ka nevojë të më thotë gjë gjykata për këtë. Atëherë si mund t’i besoj Kryeministrit tim? A ka ai përgjigje për këtë, apo është nga ata njerëz që nuk ulen kurrë përballë vetes dhe të pyesë: Çfarë po bëj?

Pasuria me e konsiderueshme e popullit të Shqipërisë për këto 60 vjetët e fundit, është e kyçur në municion dhe armatim. Shushunjat i janë ngjitur edhe kësaj pasurie tashmë: Ja e thithin! Ja pëlcasin!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›