E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiunët, PS bojkoton Kuvendin

Demokratët dhe socialistët dështojnë në realizimin e një ligji konsensual “Për ish-spiunët”. 

BLEDAR HOTI

Socialistët bojkotuan mbledhjen e djeshme të komisionit duke deklaruar se, maxhoranca nuk kërkon të hapë të gjitha dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve. Pas më shumë tentativash për arritjen e një konsensusi politik mes pozitës dhe opozitës, kur ka edhe katër ditë për t’u votuar, nuk ka asnjë shans për realizimin e një ligji me konsensus. Socialistët e cilësuan të dëmshme dhe tendencioze projektin e paraqitur nga demokratët duke shprehur se, janë për hapjen e plotë të dosjeve. Demokratët ndërkohë kanë bërë të ditur se, nuk janë për hapjen totale të dosjeve edhe për njerëzit e thjeshtë, por vetëm për ata persona që emërohen në institucionet kryesore drejtuese të shtetit, në pozicionet vendimmarrëse. Kërkesa për hapjen e plotë të dosjeve u bë prezent nga deputeti socialist, Arben Isaraj, i cili është edhe relatori i çështjes së tre ligjeve të paraqitura. “Hajde ulemi për ligjin, të hapim arkivat, të hapin dosjet për të gjithë, jo t’i kthehemi legjislacionit të mëparshëm për lustracionin. Prandaj duam konsensusin tuaj, nëse i ulemi nen për nen atëherë ne nuk bëhemi pjesë e këtij diskutimi si grup i PS-së”, deklaroi Isaraj. Po një gjë të tillë për deputetët demokratë e kanë cilësuar si një pjesë e luftës që mund të hapet ndërmjet familjeve. “Është debat tjetër nevoja për të hapur dosjet për të gjithë shoqërinë, por duke parë specifikën e shoqërisë shqiptare dhe mënyrën kapilare se si është përhapur Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunëtorët, debati moral që ka ekzistuar ishte që të mos krijohen probleme sociale në fshat në zona me njerëz, që në bashkësi vazhdojnë jetën e tyre modeste”, u shpreh Buçmi. Sipas tij, “lustrimi duhet të jetë i përqendruar te njerëzit e shtetit në drejtimin e shtetit, president, qeveri, kuvend, gjyqësor, ajo që është piramida e shtetit duhet të jetë e pastruar. Kjo është ajo që përmbushet për ish-vendet komuniste, që është dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare”. Edhe Beja ka shtuar se, “ne nuk merremi me qytetarin, por me zyrtarin që zgjidhet në postet drejtuese”. “Debati duhet shikuar në sensin praktik, nëse ne si politikë hapim dosjet e plota të përgjithshme, por kjo nuk do të ishte në të mirë të Shqipërisë”, reagoi më pas deputeti Dashnor Sulaj. Isaraj dhe Bumçi kanë dhënë para deputetëve të grupit dhe divergjencat që kanë dy partitë e mëdha për projektligjin. Socialistët theksojnë se, “nisma sjell hakmarrje, poshtërim dhe ndëshkim, nuk duhet të jetë pjesë e këtij ligji”. Deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, propozoi që ligji i ri të ketë vetëm pesë nene dhe të gjitha dosjet të dërgohen në Arkivin e Shtetit dhe të bëhen publike për të gjithë shtetasit dhe institucionet. “Arkivat të bëjnë publike dosjet. Transparencë më të mirë nuk ka. Nuk themi që të bëjmë pazar me hapjen e dosjeve, por të ketë akses për personat që kanë vuajtur nëpër burgje. Dhe kjo histori mbyllet me kaq, kush të dojë të shikojë në Arkivin e Shtetit”, vijoi Peçi. Projektligji i PD-së parashikon hapjen e dosjeve për ata bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë qenë vullnetarë dhe jo për ata persona që janë detyruar për të spiunuar. Ndërsa shtrirja e efektit të ligjit është shumë e gjatë, duke përfshirë çdo funksionar nga 29 nëntori 1944-8 dhjetor 1990. Ky ligj i ri duhet të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor të vitit 2014. PD-ja është tërhequr nga mënyra e zgjedhjes së Autoritetit të Kontrollit të Figurave, duke i dhënë mundësi kontrollit të këtij institucioni të ri mes pozitës dhe opozitës. Dy anëtarët zgjidhen nga maxhoranca dhe dy nga opozita parlamentare dhe anëtari i pestë, kryetari, del me konsensus mes dy kampeve të politikës.

Përplasjet PS-PD

PD
Qëndrimi i PD-së është se ata që janë kontrolluar një herë nga dy komisionet e verifikimeve Mezini dhe Bezhani duhet t’i nënshtrohen përsëri verifikimit të dosjes.

PD-ja kërkon që të ndërpritet mandati i të zgjedhurve nëse rezultojnë me dosje. Kjo krijon një problem jo vetëm moral, legjitimiteti, por rrëzon imazhin e shtetit demokratik nëse e lejojnë persona me një të kaluar që të jenë publik dhe të vazhdojnë të jenë aty.

Mosndërprerja e mandatit, cenon legjitimitetin e institucioneve demokratike.

Ps
Qëndrimi i PS-së është se ky ligj nuk është për hapjen e dosjeve, është një ligj lustrimi, që e ka mbyllur procesin kohë më parë.

Lustracioni nuk duhet të përdoret në pozicionet zyrtare me zgjedhje, përveçse kur kandidati e kërkon vetë këtë gjë, pasi largimi nga puna mund të hiqet vetëm me një vendim penal.

Mandatet kushtetuese nuk mund të kufizohen, janë zgjedhur me kritere të tjera, ne nuk mund të kufizojnë, ne thjesht e bëjmë publik që X person ka qenë punonjës i Sigurimit të Shtetit, ose bashkëpunëtor, por s’mund t’i mbarojë mandati.

ligji i spiunëve

Neni 3
Subjektet e verifikimit
Subjekti i verifikimit sipas këtij ligji janë të gjithë funksionarët publikë të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:
a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë;
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë;
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjera shtetërore qendrore ose të pavarura;
d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët dhe prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, të administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, së Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, së Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në germën c;
f) Guvernatorë, z/drejtorët dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”.
h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
i) Në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR) dhe çdo shërbim tjetër inteligjent;
j) Në Gardën e Republikës;
k) Drejtor i Policisë së Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati;
l) Drejtuesit e përfaqësive diplomatike:
m) Rektorë dhe Zëvendës rektorë të universiteteve publike;
n) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i republikës apo i zgjedhur nga Kuvendi.

Neni 4
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale të funksionarit publik, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji është e papajtueshme me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, të një prej detyrave, cilësive të mëposhtme:

a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;
b) Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm;
c) Zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i Sigurimit të Shtetit;
d) I dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit ose për veprat penale të shpifjes, të kallëzimit të rremë në procese politike;
e) Bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit me veprimtari të karakterit politik që lidhen me veprat penale politike të parashikuara nga ligji nr. 7514 datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë” (të ndryshuar), apo bashkëpunëtor vullnetar për vepra të tilla;
f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;
g) Hetues apo ndihmëshetues, prokuror apo ndihmësprokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike.
h) Denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset gjyqësore politike.

Neni 5
Statusi dhe përbërja e autoritetit
Për zbatimin e këtij ligji, krijohet Autoriteti i Kontrollit të Figurave, (këtu e më tej referuar si autoriteti).
Autoriteti organizohet dhe funksionon në mënyrë tej të pavarur, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe rregullore së funksionimit.
Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli i pastërtisë morale të figurave të funksionarëve publikë.
Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si vijon:

a) dy përfaqësues të shumicës parlamentare;
b) dy përfaqësues të pakicës parlamentare;
c) kryetari me konsensus

Anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Anëtari i autoritetit përfiton pagën e anëtarit të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj (ligji për pagat).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›