Të djathtët, dhunë barbare ndaj këshilltarëve të PS-së (FOTO)
Dy këshilltarë të Partisë Socialiste në Bashkinë e Fierit janë rrahur në mënyrë barbare nga disa këshilltarë dhe përfaqësues të PD-së. E gjitha kjo ka ndodhur pas debateve të shumta që kanë lindur për kreun e Qarkut, që sipas vendimit të gjykatës, i takon pikërisht PS-së.
Demokratët nuk janë pajtuar me këtë gjë dhe për këtë arsye, gjatë ditës së sotme kanë masakruar në mënyrë barbare dy këshilltarët socialistë, Alket Sulaj dhe Flamur Buzi. Ata janë sulmuar në ambientet e Këshillit të Qarkut nga një grup personash që drejtoheshin nga Artur Shehu, këshilltar i djathtë dhe i zgjedhur edhe ai kryetar qarku me një votim që po endet në dyert e gjykatës.
Këta të fundit janë dërguar në spital ku po kurohen, ndërsa në ambientet e Bashkisë së Fierit është krijuar një situatë paniku, aq sa punonjësit janë detyruar që të dalin nga zyrat, pasi janë nxjerrë edhe armët. Policia deri më tani nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar autorët e kësaj dhune barbare.


