E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE-ODIHR, PS: Sipas raportit Rama fitues

TIRANE-Partia Socialiste përshëndeti sot raportin qe OSBE-ODIHR publikoi dje për zgjedhjet vendore duke cilësuar të vlefshme cdo kritikë që vëzhguesit vendorë vërejtën në këtë proces zgjedhor.

Deputeti socialist, Sajmir Tahiri në një deklaratë për median, ka deklaruar se raporti i OSBE-ODIHR vertetoi se në zgjedhjet e 8 majit, është shkelur ligji. Ai u shpreh se sipas këtij raporti, fitues i zgjedhjeve ishte Edi Rama me 10 vota, edhe pse KQZ-ja nuk e shpalli siç duhet ta bënte. Tahiri, ndër të tjera u shpreh se me këtë KQZ dhe me këtë Kolegj nuk mund të bëhen zgjedhje në Shqipëri. Sipas PS, ky raport ishte notë ngelëse, personalisht për Sali Berishën.
“OSBE ODIHR dje ngeli në klasë Sali Berishën. Raporti i djeshëm përbën certifikatën e dështimit spektakolar të qeverisë për t’i dhënë qytetarëve dhe vendit zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standardet më minimale demokratike të pranuara nga bota e qytetëruar. Aq më keq, raporti e thotë qartë se rezultati për Tiranën, nuk bazohet në ligj, por në vendime të KQZ dhe Kolegjit kontradiktore, të pambështetura në ligj, dhe politikisht të motivuara. Ngërdheshja tërësisht e pajustifikuar e djeshme e Kryeministrit, në të kundërt, përbën medaljen e vyshkur që Sali Berisha vrapoi ta ngulte në gjoksin e vet si arritjen imagjinare të radhës”.

"Ajo që PS dhe opozita kanë ngritur me forcë 2 vite me radhë për mosfunskionimin e zgjedhjeve, tashmë përbën një fakt të pranuar botërisht. Raporti e thotë troç se me këtë KQZ e këtë Kolegj, nuk mund të bëhen më zgjedhje në Shqipëri, duke konfirmuar të gjitha pretendimet e ngritura nga opozita.
Tahiri theksoi se PS është e gatshme të bashkëpunojë për një reformë të të re zgjedhore, por me kusht që baza e për Reformën të jenë rekomandimet e OSBE-ODIHR", u shpreh me tej Tahiri.

Duke theksuar se fajtoret nuk dorehiqen se nuk e njohin kete parim, PS vlereson se vetem zgjedhjet e lira e te ndershme i japin zgjidhje njehere e mire manipulimit te zgjedhjeve. Ne kete prizem, Tahiri theksoi se PS është e gatshme të bashkëpunojë për një reformë tërësore që të garantojë përfundimisht zgjedhje të lira e të ndershme.
"Opozita i është mirënjohëse misionit të ODIHR, vëzhguesve ndërkombëtare dhe kreut të Misionit Jonatan Stonestreet, duke ritheksuar gatishmërinë tonë për të kontribuar duke ofruar një bazë solide për të kryer reformën e zgjedhjeve në Shqipëri. Në këtë pikëpamje, Raporti është një bazë e mirë për këdo që dëshiron ta ndryshojë përmbajtjen e procesit zgjedhor duke garantuar zgjedhje të lira e të ndershme në përmbushje të plotë të standardeve demokratike”, u shpreh ndër të tjera deputeti socialist. 

Ditën e djeshme, OSBE/ODIHR publikoi raportin final për zgjedhjet e 8 majit. Në këtë raport, vlerësohet se zgjedhjet kanë qenë transparente, konkurruese por të polarizuara. Raporti thekson se votimi në 8 maj ka qenë i mirë, por ka pasur probleme në 10% të Qendrave të Votimit. OSBE/ODIHR, në raportin përfundimtar veçon se 2 partitë e mëdha nuk përmbushën detyrimet. Përsa i përket Kodit Zgjedhor, raporti nënvizon se Kodi nuk ka procedurë për votat në kutitë e gabuara, të cilat sollën mosmarrëveshjet.

Kryeministri Berisha vlerësoi dje raportin objektiv dhe theksoi se rekomandimet ne te, ishin një frymëzim për zgjedhjet e ardhshme.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera OSBE-ODIHR: Zgjedhjet e 8 Majit pozitive, por tepër të polarizuara Raporti i OSBE-ODIHR, Berisha: Frymëzim për zgjedhjet e ardhshme LSI: Raporti objektiv, të nisim reformën zgjedhore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›