E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirane, aksion për lirimin e zonave publike tek “Ish-Blloku”

TIRANË- Policia Bashkiake vijoi edhe sot aksionin e shembjeve të ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.
Aksioni i zhvilluar në mëngjesin e të martës në zonën e “Ish-Bllokut”, konsistoi në lirimin e zonës publike të bllokuar nga bizneset, me objekte si, çadra, vazo lulesh apo sende të tjera të kësaj natyre, të cilat, sipas Policisë Bashkiake, bllokonin hapësirën publike në mënyrë të paligjshme.

Inspektorët e kësaj Policie bënë të ditur se aksioni shoqërohet me akt-bllokimi, i cili u jep të drejtë pronarëve që të paraqesin në Bashki, dokumentacionin e nevojshëm për të rimarrE sendet e bllokuara. Nëse këto subjekte ushtronin aktivitetin e tyre kundër ligjit, sipas inspektorëve të Policisë Bashkiake, ata do të gjobiten, sipas ligjit përkatës me një vlerë që varion nga 20 000 deri në 100 000 lekë”.

Ndërkohë, pak ditë më parë, Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, theksoi vendosmërinë për zbatimin rigoroz të ligjit në rastet e konstatimit të ndërtimeve të paligjshme, si dhe u bëri thirrje qytetarëve të distancohen dhe të denoncojnë raste të ndërtimeve pa leje.
Aksioni i Policisë Bashkiake për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e zonave publike, ka nisur që prej datës 10-gusht, periudhë në të cilën gjatë kontrollit të territorit janë evidentuar 76 subjekte tregtare të paregjistruara si dhe 34 subjekte, që nuk kishin paguar hapësirën publike. Ndaj këtyre subjekteve janë marrë masat ligjore përkatëse.

Policia Bashkiake gjatë këtyre ditëve ka bllokuar dhe 19 automjete të parkuara në mënyrë të kundra-ligjshme si dhe ka marrë masa për sigurimin e qetësisë në disa ambiente në kryeqytet që "vuanin" nga ndotja akustike, kryesisht në zonën e ish-bllokut, ndërsa aksionet në terren vijojnë çdo ditë, nga strukturat përkatëse të Bashkisë së Tiranës.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›