OSBE-ODIHR skualifikojnë taksistët me licencë
KORÇE - Një grup taksistësh të Korçës u shprehën dje të zhgënjyer, pasi zyrat e OSBE-së dhe ODIHR-it po mbështesin informalitetin dhe konkurrencën e pandershme. “Para një jave na thirri një përfaqësues i OSBE-së. Na tha se do të punonim për transportimin e grupeve të OSBE dhe ODIHR gjatë ditëve të zgjedhjeve. Kemi vite që e kryejmë këtë detyrë pranë tyre. Na kontrolluan dokumentet dhe mjetet dhe më pas na thanë se do të lajmëronin të përzgjedhurit. Dy ditë më parë, secilit prej nesh i komunikuan se nuk ishte i përzgjedhur mbasi e kishte mjetin të vjetër. Mjetet tona kontrollohen dy herë në vit nga një komision specialistësh. Nëse do të ishin të pasigurt, siç pretendohej prej tyre, do të na kishin hequr nga shërbimi taksi. Ne marrim në dorë sigurinë e pasagjerëve, të cilëve u shërbejmë çdo ditë”, u shpreh taksisti S.Mitezi. Ndërsa S.Sotiri u shpreh se asnjë nga taksistët e licencuar nuk ishte i përzgjedhuri i OSBE-së. Një shqiptar që punon atje kishte përzgjedhur mjete private, të cilët janë pa licencë taksie. Për të punuar me mjet taksie, përveç që duhet të kesh licencë nevojitet kategori patente D dhe dëshmi aftësie për mbrojtjen e klientit në çdo rrethanë” u shpreh ai. j.gj