E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata gatishmëri për zgjedhjet, dje 410 kërkesa për leje votimi

 

TIRANE – Gatishmëri “numër 1” në Gjykatën e Tiranës për personat që nuk kanë emrin në listat e zgjedhjeve të 28 qershorit. Fluksi i madh i kërkesave të qytetarëve, që hasin probleme në lidhje me emrin e tyre në listat e zgjedhore ka mbajtur gjykatën në punë ditën e djeshme deri në mesnatë, ndërsa gjykata do të qëndrojë e hapur edhe sot, si edhe nesër deri pak pas mesditës. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës. “Gjykata do të qëndrojë në funksionim sot deri në orën 24:00, të shtunën deri në orën 16:00, ndërsa të dielën deri në orën 13:00”, thanë dje burimet. Sipas një urdhri të marrë nga Ministria e Drejtësisë, gjykata do të qëndrojë në funksion deri pak orë para përfundimit zyrtar të orarit të votimit, për të shqyrtuar çdo kërkesë që do t’u paraqitet. Ndërsa kishin filluar që pak ditë më parë, dje kërkesat për këtë problem kanë shënuar “bum” në Dhomën Civile të Gjykatës së kryeqytetit. Sipas burimeve, bëhet e ditur se janë paraqitur mesatarisht nga 30-40 kërkesa në ditë, ndërsa në orët e mbrëmjes së djeshme ato kishin arritur një total prej rreth 430 të tilla. Numri i lartë i kërkesave për leje votimi nuk ka lënë pa prekur as personat, që po vuajnë dënimet e tyre në burgje të vendit. Burimet pohojnë se fluks kërkesash ka ardhur edhe nga persona që kërkojnë legjitimimin e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Bëhet e ditur se në gatishmëri këto dy ditë do të jetë edhe dhoma Penale. “Kjo bëhet për të mos krijuar pengesa në rast të një mbingarkesë në dhomën civile”, sqaruan burimet. Gjithashtu, mësohet se të gjithë gjyqtarëve dhe punonjësve të tjerë të gjykatës u është kërkuar që gjatë këtyre ditëve të mos fikin aparatet e tyre celularë. Shqyrtimi i kërkesës për të votuar, bëhet në moment dhe në vijim personi paraqitet me vendimin e gjykatës në qendrën e votimit.                ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›