E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Si ndahen mandatet e deputetëve

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi dje procedurën që do të ndiqet në lidhje me përllogaritjen e mandateve të deputetëve të ardhshëm. KQZ-ja ka parashikuar caktimin e “herësit” që del llogaritja e mandateve për çdo subjekt që ka fituar, kur numri është me presje dhjetore. “Kur herësi, në procesin e përllogaritjes së shpërndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore është numër me mbetje dhjetore, numri i plotë më i afërt i tij të merret si më poshtë: a) nëse mbetja dhjetore është numër i barabartë ose më i madh se numri 5, herësi të merret pjesa e plotë e tij duke i shtuar numrin 1; b) kur mbetja dhjetore është më e vogël se numri 5, herësi të jetë sa pjesa e plotë e tij”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Mbi bazën nëse gjatë përllogaritjes së një mandati të një partie politike rezulton se x parti nga herësi del shifra 14.5, atëherë i bie që të llogariten 15, duke e rrumbullakosur. Në rast se kjo shifër shkon në 14.3, atëherë shifra mbetet e pandryshuar në 14. Një gjë e tillë mendohet që të thjeshtojë procedurën e llogaritjes së mandateve. Përfaqësuesit e partive politike kanë pranuar një variant të tillë, duke kërkuar që procesi i përllogaritjes së votave të jetë mbi bazë më të kontrolluar, duke mos i nxjerrë mbi bazën e qarkut, por mbi bazën e KZAZ-ve fillimisht. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, në mbledhje kërkoi që rezultatet e KQZ-së të përllogariten mbi bazën e 66 KZAZ. Sipas tij, kjo do të thjeshtonte punën e KQZ-së në nxjerrjen e rezultatit, duke e marrë atë mbi çdo ZAZ dhe jo në rang qarqesh. Por kreu i KQZ-së, Arben Ristani theksoi se, “kjo skemë e llogaritjes mbi bazën e qarqeve është përcaktuar në ligjin zgjedhor”. Shtylla për ndarjen e mandateve bazohet në nenet 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor, çka do të pasojë me përllogaritjen e mandateve. Në miratimin e formularit është përcaktuar që KQZ-ja të marrë nga KZAZ-ja, rezultatet për 17 KQV. Mbledhja e këtyre të dhënave do të nxjerrë më pas rezultatin final për çdo qark. Formulari me rezultatet e 17 KQV-ve depozitohet në KQZ, i cili më pas llogaritet nga Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit. Në bazë të pikës 4 të nenit 161 për ndarjen e mandateve brenda koalicioneve, përcaktohet se “herësit e përftuar nga çdo pjesëtim, përfshirë edhe rezultatin e pikës 3 të këtij neni, renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse”. “Një subjekt zgjedhor përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre subjekteve. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara”, thuhet në nenin 162 të Kodit Zgjedhor.

Vendimi i KQZ

“Kur herësi, në procesin e përllogaritjes së shpërndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore, është numër me mbetje dhjetore, numri i plotë më i afërt i tij të merret si më poshtë: a) nëse mbetja dhjetore është numër i barabartë ose më i madh se numri 5, herësi të merret pjesa e plotë e tij duke i shtuar numrin 1; b) kur mbetja dhjetore është më e vogël se numri 5, herësi të jetë sa pjesa e plotë e tij”.

Neni 162
Përllogaritja e mandateve të subjekteve zgjedhore
1. Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore. Për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që konkurrojnë më vete dhe që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 për qind të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse.
2. Numri i votave të vlefshme në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Hapi nga njëri pjesëtues tek tjetri është 1. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
3. Kur subjekti zgjedhor është kandidat i propozuar nga zgjedhësit, votat e tij pjesëtohen vetëm me pjesëtuesin 1.
4. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim, përfshirë edhe rezultatin e pikës 3 të këtij neni, renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse.
5. Një subjekt zgjedhor përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre subjekteve. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›