E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu në Tiranë mbështet Edi Ramën: Pasaporta greke emigrantëve

 

Presidenti i Internacionales Socialiste njëherazi dhe kryetari i Partisë Socialiste greke, Jorgos Papandreu, i cili ka mbërritur dje në Tiranë, ka dhënë mesazhe të qarta politike në mbështetje të Partisë Socialiste. Gjatë një takimi me kryetarin socialist dhe familjarë të emigrantëve shqiptarë në Greqi, Papandreu u shpreh se socialistët kanë në filozofi të tyre krijimin e një shoqërie me të drejta për të gjithë qytetarët, duke i dalluar ata thelbësisht nga të djathtët. Duke i uruar fitoren Ramës në zgjedhje, Papandreu theksoi se, “është me rëndësi që zgjedhjet të zhvillohen të lira”. “Ne duhet të krijojmë një shoqëri me të drejta të bazuara në vlera, një shoqëri që mbron të drejtat e të gjithëve, që mbron të drejtat e punëtorëve. Për këtë po punojmë ne socialistët dhe për këtë miku im Edi Rama, po punon në Shqipëri”, u shpreh Papandreu. Kryetari i Internacionales Socialiste dhe njëkohësisht i partisë PASOK të Greqisë, dënoi dhe  incidentet e ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes forcave të policisë dhe mbështetësve të PS-së. “Jo shembull i mirë çka kam parë në TV. Këto janë praktika të vjetruara”, tha Jorgos Papandreu. Gjatë takimit me Edi Ramën, Papandreu bëri thirrje që të respektohen të drejtat e minoritetit. Nga ana e tij kryetari i PS-së, Edi Rama, fajësoi keqqeverisjen e kryeministrit shqiptar që Shqipëria nuk u përfshi në liberalizimin e vizave. Gjithashtu Rama informoi Papandreun mbi procesin e aplikimit dhe pajisjes me karta identiteti elektronike, ku citohet t’i ketë thënë se shumë shtetas nuk kanë marrë ende kartat e identitetit.
Por veç mesazheve politike, Papandreu ka mbërritur në Tiranë edhe me premtime konkrete, kryesisht për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi. “Ne duam të mbrojmë të drejtat e emigrantëve me punë të ligjshme, kushte të barabarta, rroga të barabarta. Ajo që ne socialistët duam të bëjmë është të integrojmë emigrantët në shoqërinë greke. Ne do të lejojmë që çdo fëmijë i lindur në Greqi të marrë nënshtetësinë greke. Ne e propozuam këtë në parlament, por nuk arritëm ta miratojmë, sepse nuk kishim maxhorancë. Ata që përfundojnë shkollën e lartë në Greqi dhe që kanë jetuar aty për tre vjet do të kenë të drejtën e nënshtetësisë greke. Edhe ata që kanë 5 vjet në Greqi dhe duan të bëhen qytetarë grekë, do t’u japim të drejtën të aplikojnë për këtë”, u shpreh Papandreu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›