Incidentet në bulevard, policia: Ndaluam dhunën
TIRANE - Pas incidenteve që ndodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes simpatizantëve të PS-së dhe Policisë së Tiranës ka ardhur edhe një reagim nga Drejtoria e Policisë. Në deklaratën për shtyp të policisë së kryeqytetit, sqarohet se forcat e policisë, të vendosura në urën e madhe të Lanës, kanë ndërhyrë vetëm për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, duke zbatuar vendimin e marrë nga policia për moslejimin e Partisë Socialiste për të zhvilluar tubimin para godinës së Kryeministrisë. Ky vendim është marrë për të shmangur incidentet e mundshme, si dhe për t’i krijuar forcave të policisë mundësinë për menaxhimin dhe bllokimin e turmave të përmasave të mëdha. Në lidhje me incidentin e djeshëm, policia e Tiranës ka sqaruar se: Subjekti politik, Partia Socialiste e Shqipërisë, duke mos respektuar qëndrimin ligjor të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe pa asnjë konsultë apo njoftim paraprak, ka tentuar që në mbrëmjen e djeshme të vendosë disa pjesë të materialeve në funksion të zhvillimit të tubimit. Policia e kryeqytetit ka ndërhyrë dhe ka penguar vendosjen e materialeve të mësipërme me gjithë kundërshtimin e përfaqësuesve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste. Gjithashtu në deklaratë thuhet se e gjendur në këto kushte dhe për të parandaluar konfrontimin në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim ç’tensionimin e situatës, punonjësit e policisë janë zhvendosur që të lejojnë kalimin e simpatizantëve dhe të mjetit që transportonte materiale për ngritjen e tribunës, për mitingun e kërkuar. Policia në këtë shërbim ka aktivizuar 126 punonjës policie dhe 20 automjete. Njoftimi zyrtar për shtyp i Policisë së Tiranës thekson se gjatë incidenteve nuk është dëmtuar asnjë qytetar nga automjetet e policisë.