Tension para mitingut, PS fiton “betejën” me policinë
Aristir Lumezi
Tension dhe konfrontim mes policisë dhe mbështetësve të PS-së për ngritjen e podiumit të mitingut. Policia e Tiranës është munduar dje të vendosë kufirin aty ku përcaktohej dhe në lejen e dhënë prej saj për mitingun e socialistëve. Kështu gjatë mëngjesit të djeshëm, një mjet i rëndë ka sjellë blloqe betoni që do të bënte kështu dhe kufizimin e trafikut përpara Kryeministrisë, por deputetët socialistë, mes tyre Fatmir Xhafaj, janë munduar të shmangin këtë veprim duke anuluar një urdhër të tillë. Më pas, rreth orës 11:30, në hyrjen e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” tek Ura e Lanës, një maune e madhe që transportonte prozhektorët dhe foninë e mitingut të PS-së është ndalur nga karrotrecët dhe furgonët e policisë që kishin bllokuar gjatë gjithë natës këtë pjesë të bulevardit. Sipas urdhrit të miratuar nga Drejtoria e Policisë, përgatitja e podiumit do të niste pas orës 14:00, por përfaqësuesit e PS-së kërkonin që aty të mbërrinin pajisjet e mitingut. Ky ka qenë shkaku që mbështetës të PS-së dhe G99 janë munduar të zhvendosin karrotrecat e vendosur nga policia në mes të rrugës për t’i hapur një korridor kalimi maunes me pajisjet e ardhura. Ky veprim nuk ka kaluar pa tension, pasi nga ana e saj, policia, pa veprime të dhunshme është përpjekur të pengojë një gjë të tillë, por më në fund korridori është hapur. Por i këtij mendimi nuk ka qenë ish-shefi i qarkullimit të Tiranës, Krenar Ahmeti, aktualisht shefi i Task Forcës së Reagimit të Shpejtë në Policinë e Tiranës, i cili është munduar të ndalë maunen duke u shtrirë në rrotat e saj dhe, madje, ka lidhur prangat e tij në një nga tubat e shkarkimit të mjetit. Kjo ka bërë që mjeti të bllokohet për disa minuta, por pas një telefonate nga eprorët e tij, Ahmeti është bindur të ç’prangoset dhe të dalë nga vendi ku ishte ngujuar. Më pas maunia me mjetet ka vazhduar për t’u vendosur para Kryeministrisë, ku socialistët nisën të ngrenë podiumin e mitingut të tyre elektoral. Një qytetar, mbështetës i PS-së, ka humbur ndjenjat nga shtyrjet në mes të turmës për të penguar karrotrecat dhe është dërguar në spital. Edhe pse pati tension dhe tone të larta mes mbështetësve të PS-së, deputetëve të saj, nga të dyja palët u shmangën përplasjet fizike, çka do të kishte rënduar klimën në fund të fushatës zgjedhore dhe në vigjilje të votimit. Pas qetësimit të situatës mbërriti në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë edhe kreu socialist Edi Rama, i cili ka bërë thirrje për qetësi. Po dje Partia Socialiste kërkoi nisjen e procedimit penal kundër personave të paidentifikuar, funksionarë politikë dhe publikë pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e krimit të shpërdorimit të detyrës, i kryer në bashkëpunim, i parashikuar nga nenet 25, 248 të Kodit Penal. Sipas saj, këta persona kanë dhënë rreth 261 leje të dënuarve për vepra të rënda penale si vrasje, trafik armësh dhe trafik narkotikësh, duke i shpërblyer ata në këtë mënyrë për t’i mbështetur në votimin e 28 qershorit. Këta të dënuar ndodhen në burgun e Rrogozhinës, Kosovës, Peqinit e Lezhës.