OSBE: PS refuzoi detyrat e veta kushtetuese, bllokoi integrimin

Ambasadori Eugen Wollfarth prezanton raportin vjetor, para këshillit të përhershëm të misionit të OSBE, në Vjenë. Ai bëri përgjegjëse PS-në për procesin e integrimit dhe dhunën e 21 janarit, duke paralajmëruar se Shqipëria s’ka kohë për të humbur, por duhet të nisë menjëherë dialogu politik në funksion të axhendës së reformave
Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth lexoi dje në Vjenë raportin për situatën politike në Shqipëri. Para Këshillit të përhershëm të OSBE-së, Wollfarth prezantoi dokumentin përmbledhës prej 10 faqesh, duke e vënë theksin kryesisht te situata politike në vend, para dhe pas zgjedhjeve vendore të 8 majit si dhe ngërçin politik të shkaktuar nga bojkotimi institucional i opozitës së Partisë Socialiste.
Raporti i OSBE shkon dhe më tej në vlerësimin dhe adresimin e rekomandimeve për sa i takon kursit të reformave, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, miratimit të ligjeve me shumicë të cilësuar etj. Në mesazhin e tij drejtuar liderëve politikë shqiptarë, kreu i OSBE-së Wollfarth i ka bërë apel atyre të nisin sa më parë dialogun politik pasi nuk ka kohë më për të humbur.
“Mesazhi është i thjeshtë: Mjaft kohë është humbur deri tani. Nëse vërtet doni t’i tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të axhendës së reformave”, u shpreh Wollfarth në raportimin para këshillit të përhershëm të OSBE-së, në Vjenë.
Ai vlerëson procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, por thekson se pas kësaj axhenda e reformave ka mbetur e bllokuar si pasojë e ngërçit politik, duke bllokuar punën e Kuvendit.
“Çështja kryesore politike ka qenë vazhdimi i ngërçit politik, që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009. Si pasojë, rrjedha normale e punës në Kuvend u pengua, duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tre të pestash. Më tej, axhenda e reformave ka mbetur e bllokuar në një masë të madhe të saj”, thuhet në raportin e Wollfarth.
Ambasadori vë në dukje se opozita ka shmangur çdo përpjekje serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa protestave publike, duke përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011 në Tiranë.
“Ndërkohë që shmangte në mënyrë të përsëritur çdo përpjekje serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa protestave publike, duke përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011 në Tiranë. Ngërçi vazhdoi deri në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të muajit maj. Tashmë, të dyja palët duhet të gjejnë mënyrat për t’i përshtatur strategjitë dhe politikat e tyre me qëllim përballimin e sfidave që po has vendi. Vetëm kur të gjitha palët të fillojnë të kuptojnë plotësisht se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh në Qeveri dhe çfarë do të thotë të jesh në Opozitë në një sistem demokratik, do të mundet Shqipëria të bëjë një përparim domethënës në axhendën e reformave”, tha Wollfarth.
Për sa u përket zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të muajit maj 2011, Ëollfarth ka theksuar se ky raport nuk do t’i hyjë ndonjë vlerësimi të hollësishëm të procesit zgjedhor, pasi ajo që duhet thënë do të pasqyrohet në raportin përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
“Sa u përket zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të muajit maj 2011, ky raport nuk do t’i hyjë ndonjë vlerësimi të hollësishëm të procesit zgjedhor, pasi ajo që duhet thënë thuhet në raportin përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Të gjitha palët politike duhet ta lexojnë raportin e OSBE/ODIHR-it në tërësinë e tij, duke shmangur tundimin për të përzgjedhur elementët që u pëlqejnë apo ato që nuk u pëlqejnë. Rekomandimet që përmban ky raport, si edhe ato të raportit të vitit 2009, tani duhet të shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore. Kuptohet se, që të ndodhë kjo, duhet të demonstrohet një dialog politik shumë më i madh ndërpartiak. Një reformë e plotë duhet të jetë: a) teknikisht e shëndoshë; b) e konsultuar gjerësisht dhe, sigurisht, e pa-nxituar; dhe c) sa më konsensuale. Një reformë e mbështetur në të tre këta elementë është e mundur vetëm nëse drejtuesit e partive duan që ajo të jetë e mundur. Ekziston, gjithashtu, edhe një nevojë urgjente për të pasur një Kod Zgjedhor, të cilin të gjitha palët të mund ta lexojnë njëlloj. Duke pasur parasysh zvarritjen e shpeshtë të reformave të mëparshme zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi, të planifikuar për në vitin 2012, ende ekziston potenciali për sfida të mëtejshme. Përfshirja e mundshme e rishikimit të sistemit zgjedhor, në çfarëdolloj reforme, përforcon nevojën për një fillim të menjëhershëm të procesit të reformës. Duke e marrë si të mirëqenë se të dyja palët duan vërtet që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare, ato, ose duhet ta fillojnë reformën që tani ose të përballen me rrezikun e një dështimi tjetër. Në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in, Prezenca do t’i ofrojë mbështetje procesit të reformës, me qëllim që ai të nisë e të vijojë me ritëm, për të arritur një rezultat konsensual, në kohën e duhur”, thuhet në raportin e OSBE-së për situatën politike në Shqipëri.
Më tej, Wollfarth thekson se viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë, në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik.
“Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr!”, ka shtuar Wollfarth.
Në raportin e tij kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë duke iu referuar zgjedhjes së Presidentit në vitin 2012 theksoi se pritet të ketë debat politik në lidhje me presidentin deri para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe kjo sipas tij do të bëjë të mundur që dritarja e mundësive për reforma,duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël. “Nëse liderët politikë shqiptarë nuk shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012, ekzistojnë të gjitha shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Për ta shmangur një skenar të tillë, liderët politikë në Tiranë do t’u duhet të përmbushin angazhimet e marra”, thekson më tej Wollfarth.
PS bojkotoi Kuvendin prej 2 vitesh, s’dëgjoi apelin e ndërkombëtarëve
Sa i përket Kuvendit, me gjithë thirrjet e përsëritura ndërkombëtare për t’iu rikthyer pa kushte Kuvendit, mospranimi i PS-së për ta bërë këtë kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të vazhduar reformat. Si pasojë e mungesave të saj të shpeshta dhe të gjata në kohë, PS-ja nuk arriti të kryente detyrën e saj kushtetuese për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur për zgjedhjet për qeverinë vendore. Thënë kjo, duke supozuar se tani e tutje opozita do të tregojë, më në fund, një vullnet më të madh për të punuar me koalicionin qeverisës në Kuvend, edhe më shumë duhet të bëhet nga kryesia e Kuvendit dhe koalicioni qeverisës për të ndërtuar një klimë politike më gjithëpërfshirëse. Ndonëse në të gjitha demokracitë moderne, koalicioni qeverisës ka të drejtën politike të qeverisë, edhe gjithashtu e qartë kërkesa për ta përfshirë opozitën në proceset e hartimit të politikave dhe për t’i dhënë asaj hapësirën e mjaftueshme për mbikëqyrjen e qeverisë.
PS organizoi demonstratën e dhunshme të 21 janarit, hetimet ende vazhdojnë
Sa u përket ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit 2011, përderisa hetimi, si ai i prokurorisë, edhe ai i Kuvendit, vazhdon, duket me vend të thuhet thjesht se një protestë e organizuar nga partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS), çoi në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave vdiqën katër vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Se si ndodhën këto vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës duhet të jetë fokusi i hetimeve që tashmë janë në proces e sipër. Në ditët që pasuan këto trazira, u vu re gjuha më e ashpër e përdorur ndonjëherë publikisht së fundmi nga të dyja palët, jo më pak edhe nga qeveria në sulmet ndaj Presidentit të Republikës dhe Prokurores së Përgjithshme, të cilat veçse acaruan edhe më tej një situatë tanimë të tensionuar. Të gjitha palët duket se e kuptojnë tashmë se sjelljet e secilës prej tyre në këtë periudhë nuk ndihmuan shumë për të përmirësuar reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Deri tani, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as komisioni hetimor parlamentar nuk kanë qenë në gjendje të dalin me ndonjë rezultat të prekshëm.
Imuniteti i deputetëve, miratimi i Kuvendit, mbetet i hapur për debat
Kuvendi ndryshoi ligjin për imunitetin ndaj ndjekjes penale. Si rrjedhojë, deputetët tashmë mund të heqin dorë nga imuniteti i tyre në rast të ndjekjes penale për akuza për korrupsion, duke nënshkruar një deklaratë individuale në fillim të mandatit të tyre. Megjithatë, imuniteti mbetet prerogativë e Kuvendit dhe jo e një deputeti të vetëm. Kështu, një deputet nuk mund të autorizojë një ndjekje penale, ashtu sikurse as Kuvendi nuk mund të japë një autorizim ex ante për këtë qëllim. Prandaj, miratimi nga ana e Kuvendit e një dispozite të tillë mbetet i hapur për debat, pasi deklarata mund të kthehet në një pengesë për ndjekje të mundshme penale. Ajo që ngërçi politik solli për shtetin e së drejtës ishte pamundësia për të miratuar ligje dhe për të emëruar zyrtarë të lartë të shtetit, që kërkojnë një shumicë të cilësuar; duke përfshirë projektligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, që nevojitet për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe projektligji për gjykatat administrative, që nevojitet për ngritjen e gjykatave që merren me mosmarrëveshjet administrative. Pavarësia e institucioneve shtetërore dhe e gjyqësorit ka nevojë të përforcohet edhe më tej, pasi sistemit të drejtësisë i mungon aktualisht transparenca, përgjegjshmëria dhe eficenca e mjaftueshme.
Reforma në sistemin e drejtësisë, Qeveria miratoi strategjinë
Ndërsa miratimi nga ana e Këshillit të Ministrave i një strategjie për reformimin e sektorit të drejtësisë tregon vullnet politik për reformim, mbetet e hapur pyetja nëse kjo strategji do të ketë ndikimin për të cilin është hartuar. Edhe adresimi i çështjes së reformës kërkon sërish vullnet më të madh politik. Zëvendësimi i dy të tretave të nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është bërë plotësisht. Sa i përket interpretimit të nenit përkatës të Kushtetutës, Gjykata vendosi se Presidenti dhe Kuvendi duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore për të pasur një përbërje cilësore të Gjykatës dhe se duhen përcaktuar mekanizmat e duhur për rinovimin e përbërjes së Gjykatës çdo tre vjet. Pas këtij vendimi, u emëruan vetëm tre gjyqtarë të rinj, kurse tre kandidaturat e tjera iu kthyen Presidentit nga Kuvendi. Ky kthim është argumentuar me shpjegimin se një zëvendësim aktual i dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës do të cenonte Kushtetutën. Megjithatë, ndonëse nga njëra anë zëvendësimi i njëkohshëm i gjashtë gjyqtarëve cenon dispozitën kushtetuese, sipas së cilës një e treta duhet të zëvendësohet çdo tre vjet, nga ana tjetër, situata aktuale, ku disa gjyqtarë vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë për më shumë se një vit pas përfundimit të mandatit, cenon dispozitën kushtetuese që e kufizon mandatin e tyre në nëntë vjet. Kuvendi tani duhet t’i japë një zgjidhje kësaj çështjeje.
Jo ndryshimeve Kushtetuese, objektivi i parë duhet të jetë reforma zgjedhore
Kohët e fundit, janë bërë disa deklarata publike nga opozita, e cila ka bërë thirrje për reformë kushtetuese. Deri tani, këto thirrje nuk janë marrë parasysh nga koalicioni qeverisës. Ndryshimet e fundit kushtetuese datojnë në prill të vitit 2008 dhe janë bërë me miratimin konsensual të të dyja partive kryesore politike dhe të një shumice dërrmuese në Kuvend. Në atë kohë, shumë dolën me argumentin se ndryshimet e propozuara kërkonin një shqyrtim më të madh dhe se ndryshimet për të cilat ishte rënë dakord shkaktonin shqetësime legjitime në lidhje me ndarjen kushtetuese të pushteteve – konkretisht të pushtetit në dukje më të madh të Kryeministrit në raport me pushtetin e Presidentit. Megjithatë, koalicioni qeverisës i qëndron idesë se ndryshimet në Kushtetutë nuk duhet të amendohen, ndërkohë që kanë kaluar vetëm tre vjet, e madje edhe më vonë kjo mund të bëhet vetëm pas përgatitjeve të shëndosha. Meqenëse ndryshimet e bëra në vitin 2008 kishin miratimin e të dyja palëve, koalicioni qeverisës thotë se çfarëdolloj thirrjeje për rishikime të mëtejshme, e bërë në këtë moment, mund të shihet si një thirrje me natyrë politike. Në fund të fundit, duhet të jenë aktorët vendas ata që vendosin se sa me vend është diskutimi rreth Kushtetutës pikërisht në këtë moment. Nëse periudha nga tani deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka për të qenë një periudhë ku do të shihen përparime në çuarjen përpara të axhendës së reformave, atëherë të gjitha palët politike duhet të llogarisin vëllimin dhe përmasat e “projekteve” legjislative që mund të ndërmerren. Përndryshe, mbetet rreziku që qëllimet e mira të “mbyten” politikisht mes një përzierjeje mbingarkese institucionale dhe mllefi politik. Objektivi i parë duhet të jetë rënia dakord për reformën zgjedhore. Çështje të tjera të politikave dhe interesave politike mund të diskutohen më pas.
Avokati i Popullit, peng i mungesës së dhënies së konsensusit të opozitës
Megjithëse mandati i Avokatit të Popullit mbaroi në shkurt 2010, ky post vazhdon të mbetet bosh, pasi emërimi i një Avokati të ri Populli kërkon shumicën e cilësuar në Kuvend. Për më shumë se një vit, të gjitha detyrat janë kryer nga komisioneri më i vjetër në detyrë, edhe pse ligji lejon që praktika të tilla të vazhdojnë vetëm për një muaj. Megjithëse detyrat e reja të Avokatit të Popullit si Mekanizmi Kombëtar Parandalues janë kryer me sukses, në shumë raste agjencitë lokale të qeverisë nuk kanë arritur t’i zbatojnë rekomandimet e ardhura nga kjo Zyrë.
Lufta kundër korrupsionit, Shqipëria shënon hapa pozitivë
Në luftën kundër korrupsionit, harmonizimi i mëtejshëm i legjislacionit vendas me detyrimet ndërkombëtare përbën një zhvillim pozitiv. Qeveria ka mundur të miratojë disa ndryshime në Kodin Penal që lidhen me veprat e korrupsionit të zyrtarëve të huaj dhe të vendosë disa penalitete të rëndësishme për korrupsionin në sektorin privat. Progres është arritur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke përfshirë një rritje e shkallës së ndjekjes të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të ulët dhe të mesëm. Edhe futja në përdorim e sistemeve elektronike të prokurimit në administratën publike i zvogëlon kontaktet midis autoriteteve kontraktuese dhe ofertuesve, duke ulur kështu edhe mundësitë për korrupsion. E megjithatë, ndjekja e zyrtarëve të lartë shtetërore të akuzuar për korrupsion vazhdon të mbetet një problem, për zgjidhjen e të cilit nuk ndihmon as mos ndjekja e këtyre rasteve nga Prokuroria. Mungesa e opozitës në Kuvend mban peng ligjin për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë Edhe imuniteti i zyrtarëve të lartë publikë mbetet një çështje e rëndësishme që duhet adresuar. Përpjekjet e koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë nuk patën sukses për shkak të ngërçit politik. Një historik më i plotë i vendimeve të gjykatës dhe dënimeve dhe/ose gjobave të përshtatshme në çështjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë është i rëndësishëm për rivendosjen e besimit të publikut. Lufta kundër korrupsionit do të ketë sukses vetëm në qoftë se të gjitha palët punojnë së bashku në vend që ta keqpërdorin atë për interesat e tyre.
Lufta kundër krimit të organizuar, sukses i dukshëm i ligjit “antimafia”
Në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka ndjekur penalisht disa raste të rëndësishme të pastrimit të parave, pas miratimit të të ashtuquajturit “ligji anti-mafia”. Legjislacioni kombëtar duhet të harmonizohet me standardet ndërkombëtare. Përveç kësaj, duhet të bëhen përpjekje për të futur masa parandaluese dhe për të reduktuar transaksionet në kesh. Është vënë re një rritje e operacioneve të përbashkëta me shërbime të tjera policore të vendeve të BE-së në lidhje me konfiskimin e drogës dhe veprimtarive të tjera të krimit të organizuar. Është vënë re, gjithashtu, një rritje e konfiskimit të pasurive kriminale. Tashmë nevojitet një forcim i mëtejshëm i bashkëpunimit institucional midis agjencive të zbatimit të ligjit. Sa i përket krimit kibernetik, janë organizuar operacione të rëndësishme policore në lidhje me falsifikimin e kartave të kreditit dhe vjedhjes nëpërmjet internetit. Është përdorur gjerësisht sistemi online i informacioneve sekrete në lidhje me aktivitete kriminale, i cili ka çuar në një rritje të numrit të arrestimeve dhe reduktim të trafikut të drogës. Tani, procesi duhet të përfshijë transferimin në sistem të të gjitha të dhënave nga dosjet kriminale dhe përdorimin e tij nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Ndërsa policia është bërë më e aftë të përdorë teknika të përparuara të hetimit të krimeve, kapacitetet e mjekësisë ligjore kanë nevojë që të forcohen për të lejuar përdorimin më të shpeshtë si provë të ADN-së. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është tashmë më i aftë për të hetuar korrupsionin e brendshëm. Procesi i bashkëpunimit ndërkufitar po ecën mirë. Bashkëpunimi duhet të forcohet në kufirin ujor.