E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: “Palët i kanë mundësitë për arritjen e një kompromisi final”

Flet përfaqësuesi i prezencës së OSBE-së në Tiranë

Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch vlerëson se Parlamenti i ka të gjitha mundësitë për arritjen e një kompromisi bilateral mes PD dhe PS.

Bosch shpreh besimin për një pajtim ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, duke i dhënë fund kështu ngërçit politik disamujore në vend.

“Palët nuk duhet të marrin gjithçka kërkojnë, ndaj duhet të bëjnë edhe lëshime”, u shpreh Bosch, duke kërkuar që mazhoranca dhe opozita të tolerojnë në këmbim të gjetjes së zgjidhjes.

Duke iu referuar deklaratave nga pozita dhe opozita se janë gati për kompromis, Bosch shton se “të dyja partitë thonë se janë të gatshme për kompromis, por ende nuk është e qartë se çfarë duan të thonë me këtë”.

Sipas tij, “ditët e fundit kanë qarkulluar shumë propozime interesante për zgjidhjen e krizës”.

Në këtë drejtim Bosch thotë se, kompromisi do të arrihet, pasi nuk ka një rrugë tjetër. “PS, duhet të mbetet në parlament e aty t’i shprehë mendimet e propozimet e saj”, tha ai, duke shtuar se “për këtë ne inkurajojmë të dy palët se nga kjo do të ketë vetëm fitimtarë”.

Apeli disa javor i ndërkombëtarëve është që Shqipëria t’i japë fund ngërçit politik dhe mazhoranca e opozita të punojnë së bashku, për përmbushjen e reformave që i kërkohen vendit në kuadër të integrimit.

Deklarata e Bosch u dha gjatë një vizite, që ambasadori zhvilloi në Kukës.

Kreu i OSBE-së bën këtë deklaratë një ditë para vizitës në Tiranë të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili mbërrin pikërisht sot në kryeqytetin shqiptar.

Apeli i ndërkombëtarëve për mbylljen e çështjeve të ngritura nga opozita, detyron këtë krah politik që të pranojë koncesionet e mazhorancës, për hetimin e zgjedhjeve, por pa cenuar ligjet dhe kushtetutën e vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›