E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi/“Gazeta shqiptare” harron që koha e luftës së klasave është kapërcyer

Dje “Gazeta Shqiptare” botoi një lajm sensacional për skandal dhe vjedhje me librat e bibliotekave të shkollave.

Më duhet të pohoj se pas emërimit në detyrën e këshilltarit të jashtëm të Kryeministrit në 27 tetor 2009, kam dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Qendrës për Arsim Demokratik (CDE) dhe Shtëpia Botuese EDUALBA, pronë e familjes sime, është shitur, respektivisht me vendimet e gjykatës të datave 2 dhjetor 2009 dhe 14 janar 2010. Prandaj pohimi i “Gazetës Shqiptare” se jam “në konflikt të hapur interesi” është i pavërtetë.

Të ardhurat bruto të CDE-së nga shitja e librave të saj për bibliotekat e shkollave arrijnë gjithsej 1 231 920 lekë (afërsisht 8 926 Euro), të cilat janë modeste, lehtësisht të verifikueshme përmes faturave, sipas titujve në DAR/ZA por edhe përmes llogarisë bankare, prandaj pohimi i dytë se “kam përfituar shumë” është përsëri i pavërtetë. Për më tepër po të verifikohen çmimet e shitjes së librave atëherë çdokush bindet pa vështirësi se ato nuk kanë për qëllim fitimin dhe për më tepër botohen pa subvencion.

Ndërsa vetëm për librat e Edualbës, arkëtimi bruto në total është 3 551 844 (afërsisht 25 738 Euro). Edhe kjo shumë është lehtësisht e verifikueshme.

Për arsyen se pse DAR/ZA zgjedh librat e CDE-së apo të Edualbës, “Gazeta Shqiptare” është mirë të pyesë komisionet e përzgjedhjes, por edhe përdoruesit e tyre se çfarë përfaqësojnë në të vërtetë këto libra për fëmijët, nxënësit, mësuesit dhe publikun e gjerë.

Konkurrimi publik në bazë të procedurave ligjore, për t’i ofruar vlera bibliotekave shkollore, nuk është as skandal dhe as vjedhje.

Unë kontribuoj për zhvillimin e arsimit prej më shumë se tre dhjetëvjeçarë dhe do të vazhdoj pa pushim e me këmbëngulje deri në fund të jetës sime e për këtë jam krenar që i kam dhënë arsimit kontribut të çmuar edhe përmes botimeve, që ekspertët i kanë vlerësuar të njëjta me ato të standardit perëndimor, si më të mirat në Rajonin e Ballkanit.

Në përfundim dua t’i kujtoj artikujshkruesve se koha e luftës së klasave është e kapërcyer dhe sot individët apo botuesit klasifikohen për nga vlerat dhe kontributi i tyre për arsimin kombëtar dhe jo nga parapëlqimet politike.

* Këshilltar i Kryeministrit për Arsimin

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›