OSBE: Përmirësoni pjesën e Kodit që ka të bëjë me financimin e fushatave
Shaban Sulçe
OSBE-ODHIR-i i sugjeron politikës shqiptare që të përmirësojë atë pjesë të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me kapitullin e financimit të fushatave elektorale. Në raportin e publikuar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë renditur një sërë rekomandimesh, ku midis tyre përmendet edhe rëndësia e përmirësimit të Kodit në këtë kapitull, gjë që do të ndikonte në garantimin e një transparence për çështjen e financimeve që përfitojnë partitë politike gjatë fushatave elektorale. Rekomandimi kërkon nga partitë politike që të faturojnë dhe të dokumentojnë të gjitha paratë që përfitojnë në fushatë dhe mënyrat e shpenzimit të tyre. Gjithashtu kërkohet të sqarohen edhe kriteret mbi të cilat do të bazohet verifikimi që do t’u bëjë KQZ-ja financimeve të partive.
Rekomandimi
“Duhen marrë në konsideratë mendimet në dispozitat e Kodit Elektoral, të cilat kanë të bëjnë me financimin e fushatave. Partitë politike duhet të vënë në dispozicion deklaratat e dokumentuara të të ardhurave që përfitojnë, si dhe shpenzimet që bëjnë gjatë fushatave të tyre. Duhen specifikuar gjithashtu kriteret në të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të kryejë verifikimet e raporteve financiare të subjekteve elektorale”, - thuhet në rekomandimin e bërë nga OSBE-ODHIR-i, në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Raporti
Në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, të hartuar nga OSBE-ODIHR-i, zë vend edhe çështja e financimit të fushatave elektorale. Në fakt, aty përmenden më shumë financimet që partitë politike përfituan nga buxheti i shtetit, ndërkohë që flitet shumë pak, ose aspak, për financimet private që përfituan partitë në fushatë. “Subjekteve elektorale iu akorduan para nga buxheti për fushatën. 50% të fondeve për subjektet elektorale u dhanë për partitë parlamentare, në përpjesëtim me numrin e vendeve në Parlament. Pjesa tjetër iu shpërnda partive parlamentare, të cilat kishin më pak se dy vende në Parlament në legjislaturën e kaluar, në përpjesëtim me numrin e votave që fituan në zgjedhjet e mëparshme. Partive politike, që përfituan fonde nga buxheti i shtetit, por nuk arritën që të siguronin vende në Parlament, iu kërkua që t’i kthenin paratë mbrapsht te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili duhet t’ua rishpërndajë partive parlamentare. Tashmë Kodi Elektoral i vë detyrë KQZ-së që të mbikëqyrë rregullat në lidhje me financimin e fushatës me fondet publike dhe jopublike. Subjekteve elektorale u kërkohet të regjistrojnë fondet që marrin, duke përfshirë hapjen e llogarive të veçanta bankare për donacione në një shumë më të madhe se 100 000 lekë (rreth 770 euro). Jo më vonë se 45 ditë pas deklarimit të rezultatit përfundimtar zgjedhor, KQZ-ja cakton ekspertët kontabël për të kryer kontrollin e fondeve të marra dhe të shpenzuara për fushatën. Ndërsa këto parashikime ligjore janë një përmirësim që mirëpritet, transparenca e procesit do të ishte më e lartë nëse do të kishte parashikime edhe për deklarime të të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë fushatës. Ndërsa Neni 91 i Kodit parashikon shprehimisht se KQZ-ja mund të kryejë verifikime për raportimet financiare të subjekteve elektorale, ai nuk përfshin kritere për të realizuar një kontroll të tillë. KQZ është përgjegjës për pagimin e kontrolluesve të caktuar, por ka fonde të kufizuara në dispozicion për këtë qëllim”, - thuhet në raportin e OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri.
Transparenca, kërkesa e vazhdueshme e OSBE-së
OSBE-ODIHR-i prej kohësh ka kërkuar nga politika shqiptare që të garantojë transparencën e financimeve që përfitojnë partitë politike gjatë fushatave elektorale. Në rekomandimet e bëra kërkohej hartimi i një ligji në Kodin Zgjedhor, i cili duhet të përcaktojë krijimin e një sistemi profesional dhe të pavarur auditi, që do të mundësonte një procedurë të vërtetë hetimore ndaj deklarimit që bëjnë subjektet zgjedhore për financimet dhe shpenzimet e partive në fushatat elektorale. Koncepti i këtij sistemi auditi është i lidhur me krijimin e tij si një institucion profesional dhe i pavarur, i cili do të përmbajë burimet e nevojshme njerëzore dhe teknike për realizimin e auditimit, si dhe të përcaktimit të detyrave, të të drejtave dhe kufizimeve që do të kishte ky institucion në këtë proces. Sistemi i auditit është konceptuar si një institucion, veprimtaria e të cilit do të jetë e bashkërenduar dhe e lidhur ngushtë me institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Do të jetë ky i fundit ai që do të sanksionojë marrjen e masave ndëshkuese ndaj partive politike, në rast të evidentimit të fshehjes së transparencës financiare të tyre. Një element mjaft i rëndësishëm i funksionimit të sistemit të auditit do të jetë detyrimi ligjor, në të cilin partitë politike duhet të dorëzojnë listën e plotë të financuesve të fushatave të tyre elektorale.
Emrat e ekspertëve që do të “hetojnë” financat e partive politike
Komisioni Qendror Zgjedhor, në mbledhjen e dy ditëve më parë, hodhi shortin për përcaktimin e ekspertëve kontabël që do të hetojnë fondet që kanë përdorur partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit. Nga hedhja e shortit rezultoi se financat e Partisë Demokratike do t’i hetojë shoqëria “Alb BB auditing sh.p.k.”, financimet e Partisë Socialiste do t’i hetojë eksperti kontabël Mihal Ziu dhe ato të LSI-së do t’i hetojë eksperti kontabël Theodhoraq Gjosha. Në vendimin e KQZ-së shkruhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi shqyrtoi propozimet e paraqitura si dhe dëgjoi diskutimet e përfaqësuesve të partive politike, në mbështetje të Nenit 91 të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve emëroi me short për çdo subjekt zgjedhor ekspertë kontabël të licencuar, të cilët do të auditojnë fondet e përftuara dhe të shpenzuara nga subjekte zgjedhore për fushatën zgjedhore. Subjektet zgjedhore që u paraqitën në fletën e votimit dhe morën pjesë në zgjedhjet për Kuvendin 2009 janë 34. Për rrjedhojë, partitë që duhet të auditohen për fondet e përftuara dhe të shpenzuara nga ekspertët kontabël të licencuar janë 34.
16 Shtator 2009