E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i OSBE-së, Bashkimi Europian: Të lexohet me kujdes



Një ditë pas publikimit të vlerësimeve përfundimtare të OSBE/ODIHR-it mbi procesin zgjedhor në Shqipëri, Bashkimi Europian vlerëson paraprakisht se vendi ndodhet në një pozitë më të mirë në rrugën drejt integrimit, por thekson se raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë duhet të lexohet me kujdes. I pyetur nëse pas leximit të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet, Shqipëria ndodhet në një pozitë më të favorshme ose jo në rrugën e saj drejt BE-së, ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, vendi i të cilit mban presidencën e Bashkimit Europian, u përgjigj: “Bazuar në raportin e OSBE/ODIHR-it që ai kishte marrë lidhur me zgjedhjet, Shqipëria tani është në një pozitë më të mirë”. Deklarata e ministrit suedez u mbështet dhe nga komisioneri europian për Zgjerimin, Oli Rehn, i cili shtoi se raporti duhet lexuar me kujdes deri në fund. "Më është dashur të merrem me Afganistanin dhe nga kjo pasdite do të merrem dhe me dosjen e Shqipërisë", - u shfajësua Rehn. Këto deklarata, zyrtarët e BE-së i dhanë në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm, ku Ballkani nuk ishte i përfshirë në axhendën e bisedimeve. Raporti i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri vlerësonte se pati mungesë në plotësimin e të gjitha standardeve, por, nga ana tjetër, ai nënvizonte faktin se procesi zgjedhor ishte ndër më të mirët që kishte pasur deri tani Shqipëria. Raporti vlerësonte gjithashtu se nuk u faktua asnjë provë që kishte të bënte me manipulimin e zgjedhjeve dhe të rezultatit, por në të kritikoheshin ndërhyrjet politike që u bënë gjatë procesit të numërimit të votave.

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›