E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: Projektligjet e qeverisë synojnë vënien nën kontroll të gjyqësorit

Nga Armand Maho

Prezenca e OSBE në vendin tonë paraqiti në qendrën e saj në Vjenë raportin para Këshillit të Përhershëm të OSBE. Në raport theksohet se projektligjet që po përgatit qeveria për të luftuar korrupsionin brenda gjyqësorit rrezikojnë ta vënë atë nën kontroll të ekzekutivit. Sipas këtij raporti, aktorët e përfshirë në këtë proces nuk janë pyetur gjatë hartimit të projekt-drafteve. “Deri më sot, dy projektligjet, (ai për prokurorinë dhe për administratën gjyqësore), të cilat synojnë të luftojnë korrupsionin brenda gjyqësorit, duket se forcojnë kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, duke ngritur pyetje mbi ndarjen e pushteteve dhe ato nuk u diskutuan si duhet me aktorët kyçë përpara se të paraqiteshin zyrtarisht. Në përgjigje të kritikave nga bashkësia kombëtare, tani po zhvillohen konsultime”, - thuhet në raportin e OSBE. “Në tetor 2008, Këshilli i Ministrave miratoi një sërë projektligjesh për Profesionin e Avokatit dhe Noterit, Gjykatat Administrative dhe Shërbimin e Përmbarimit, me qëllim, siç pretendohet, që ta përafrojë legjislacionin kombëtar me standardet e BE. Megjithëse është ende herët për të komentuar mbi hollësitë e këtyre ligjeve, mund të vërehet se ato u miratuan ose pa iu nënshtruar një procesi të plotë konsultimi publik, ose duke shpërfillur komentet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare.”

Në raport flitet dhe për përplasjen mes mazhorancës dhe presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Në të vërtetë, shumë vetë e panë votën pasuese kundër kandidaturave të presidentit nga ana e Kuvendit si një votë politike përkundrejt vendimit të presidentit për të mos hyrë në konsultime. Çështja u zgjidh, vetëm pasi presidenti ngriti një grup ekspertësh për të përcaktuar një paketë kriteresh që duheshin përmbushur nga grupi i kandidatëve të ardhshëm, të cilët më pas u miratuan. Ngritja e grupit të ekspertëve qetësoi situatën dhe për këtë i duhet dhënë meritë e madhe Presidencës që e propozoi këtë ide”, - thuhet në raport.

Në raportin e OSBE thuhet se ngjarja më madhore e këtij viti ishte ftesa për t’u anëtarësuar në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit.

“Kjo ngjarje ishte gjithashtu faktori parësor për të shpjeguar përse partitë kryesore politike filluan të zhvillonin një konsensus ndërpartiak për çështjet kryesore strategjike, gjë që nga ana tjetër pati një ndikim pozitiv në procesin e reformave.”

Sipas OSBE, ekonomia ka vazhduar rritjen me një përqindje të shëndetshme prej 5.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, megjithëse rritja e çmimeve të karburantit dhe energjisë elektrike shtoi trysninë e inflacionit.

Por OSBE vëren me shqetësim situatën për sa i përket investimeve të huaja. “Potenciali për tregti dhe investim të huaj gjithashtu është ndrydhur nga shqetësimet që rrjedhin nga siguria ligjore dhe fizike e pronës, korrupsioni dhe çmimet e larta të operimit”, - thekson raporti.

Reforma zgjedhore

Procesi po vazhdon ngadalë

Reforma zgjedhore ka shënuar njëfarë përparimi gjatë vitit të fundit. Megjithëse procesi u zhvillua në mënyrë tejet të zvarritur nga shtatori 2007 deri në prill 2008, Kuvendi më në fund miratoi një sistem të ri zgjedhor. Qershori 2008 pa përurimin e një komisioni të posaçëm të tretë, këtë herë për të hartuar një Kod Zgjedhor të ri. Megjithëse aktorët kyçë kanë shpallur në mënyrë të përsëritur vullnetin e tyre politik për të rënë dakord për një Kod Zgjedhor brenda korrikut 2008, deri më sot procesi ka vazhduar i ngadaltë në pritje të miratimit përfundimtar nga ana e Kuvendit në tetor.

Ndryshimet në Kushtetutë

Shqetësim për ndarjen e pushteteve

Në prill 2008, Kuvendi miratoi ndryshime madhore në Kushtetutë. Megjithëse disa ndryshime shtuan vlerat e megjithëse amendamentet u miratuan në mënyrë legjitime me një shumicë tri të pestat, disa nga ndryshimet shkaktuan shqetësime në lidhje me ndarjen e pushteteve. Miratimi i këtyre ndryshimeve u pasua nga një thirrje për referendum nga disa parti të opozitës dhe figura publike, por që më pas u refuzua nga KQZ me një vendim, i cili u ankimua pranë Gjykatës Kushtetuese dhe për të cilin tani pritet një vendim përfundimtar i Gjykatës.

Ligji për dosjet

OSBE i druhet përdorimit të tij gjatë fushatës

Kuvendi vazhdoi të shqyrtonte legjislacionin për ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist duke u përqendruar kryesisht te bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Diskutimet nisën në verë dhe vazhdojnë në vjeshtë. Shpresohet që tani do të lejohet koha e mjaftueshme që ligji të shqyrtohet nga Kuvendi dhe e gjithë shoqëria civile, duke mbajtur parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Gjithsesi, duke qenë se Shqipëria është futur në një vit zgjedhjesh, mbetet për t’u parë, nëse do të gjendet një zgjidhje e kënaqshme dhe e qëndrueshme për këtë çështje në të ardhmen e afërt.

“Gërdeci”

Prokuroria duhet të hetojë pa ndërhyrjen e politikës

Në mars 2008, një sërë shpërthimesh në një depo municionesh ushtarake pranë Tiranës (Gërdec) vranë 26 persona dhe lënduan 300 të tjerë, ndërsa u shkatërruan edhe mijëra shtëpi. Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim të plotë, i cili është në vazhdim. Prokuroria e Përgjithshme duhet të vijojë hetimet pa ndërhyrjen e politikës. Në korrik

2008, imuniteti parlamentar i ish-ministrit të Mbrojtjes u hoq për t’i hapur rrugë hetimeve mbi rolin e tij. Sa i përket sigurisë së zonës, bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje që perimetri i sigurisë prej 800 metrash përreth zonës së shpërthimit të respektohet si zonë e ndaluar, për aq kohë sa të certifikohet si zonë e sigurt nga ekspertë të huaj të pavarur.

Korrupsioni

Ende asnjë zyrtar i lartë në pranga

Në luftën kundër korrupsionit, megjithëse viti i fundit pa një numër zyrtarësh të nivelit të mesëm, të cilët u ndoqën penalisht, zyrtarë të lartë publikë dhe grupe kryesore të krimit të organizuar mbeten ende ‘në gjendje të lirë’. Megjithëkëtë, në shtator 2008, Treguesi më i fundit i Perceptimeve të Korrupsionit i “Transparency International” shënoi përmirësime të ndjeshme krahasuar me raportin e vitit 2007.

Administrata

Problem largimi nga puna i të trajnuarve

Në administratën publike, viti i fundit pa përsëri një rotacion të konsiderueshëm në organikë, duke vazhduar të mbetet problem niveli i përkatësisë partiake i përdorur në procesin e rekrutimit. Megjithëse një numër i madh i të larguarve janë ankuar me sukses pranë Komisionit të Shërbimit Civil dhe më pas i kanë fituar çështjet e tyre në Gjykatën e Apelit, vetëm një numër i vogël rastesh njihen ku individët janë kthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës. Në radhët e policisë, megjithëse shumë prej largimeve mund të kenë qenë të justifikuara, disa nga procedurat e përdorura për largimin e tyre janë parë si jo-transparente.

Pronat

Duhet një vlerësim për aftësinë e shtetit për kompensim financiar

Për sa i përket vetë reformës së pronave, çështjet e pazgjidhura të pronës kanë penguar përpjekjet për të zhvilluar një treg trojesh funksional dhe kanë frenuar investitorët e huaj. Në lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit, mund të bëhet më shumë për të rritur transparencën dhe për të përshpejtuar më tej procesin. Duhet kryer një vlerësim i kërkesave në pritje të paraqitura pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) dhe procedurat zbatuese duhen përmirësuar për të rritur efikasitetin. Duhet ndërmarrë edhe një vlerësim mbi aftësinë e Shtetit për të kompensuar ish-pronarët me të holla.

Mediat

Shqetësim për KKRT dhe KDRTVSH

Në lidhje me reformën në sektorin e mediave, në korrik 2008 Kuvendi inicioi një projektligj për transmetimet radiotelevizive, i cili synon të unifikojë ligjet ekzistuese, atë për Radion dhe Televizionin Publik dhe Privat dhe ligjin për Transmetimet Numerike. Gjithsesi, garancitë që projektligji ofron për pavarësinë e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT) dhe të Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH) duken të pamjaftueshme dhe ka ende një mungesë përparimi në hartimin e një strategjie dixhitale të konsultuar gjerë. KKRT vazhdon të kritikohet për vendimet e saj të dukshme jo-transparente të licencimit dhe për mungesën e perceptuar të pavarësisë së saj nga qeveria, një kritikë e cila i drejtohet edhe RTSH.

Barazia gjinore

Drafti zgjedhor nuk garanton 30 përqindëshin

Në lidhje me reformën për barazinë gjinore, nëse shihen raportet dhe treguesit ndërkombëtarë, është e drejtë të thuhet se mbetet ende shumë punë për të bërë. Vetëm 7% e parlamentit është e përbërë nga gratë dhe vetëm 2% e kryebashkiakëve janë gra. Edhe pse një kuotë është prezantuar për përfaqësimin e grave në disa struktura të partive politike, një kuotë e tillë nuk ekziston ende për përfaqësimin e grave të zgjedhura. Megjithëkëtë, duket se ka njëfarë optimizmi se Kodi Zgjedhor do të promovojë një përfaqësim më të barabartë (Në projekt-propozimet më të fundit është propozuar një kuotë gjinore prej 30%. Mbetet për t’u parë, nëse ky propozim, në formën e tij aktuale, do të konvertohet konkretisht në më shumë mandate parlamentare për gratë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›