E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Breçani ka audituar kompanitë e Fazlliçit, ja dokumenti

Nga L.Progni

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, komentoi dje deklaratat e vajzës së kryeministrit Berisha dhe mbesës së tij. Braçe tha se ato iu shmangën me qëllim akuzave që iu janë bërë në media.

“Për të hyrë më në detaje, dje, zonja Argita Berisha dëshmoi se ka ofruar shërbime ligjore për tendera apo shërbime publike ndaj zotit Damir Fazlliç. Dua të them se askush nuk ka folur për tendera dhe degdisja e dëshmisë këtu është thjesht devijim nga e vërteta dhe nga thelbi i akuzës. Ish-ortakja e zonjës Argita Berisha, avokatja Flutura Kola, është nën dyshime të forta të jetë përfshirë dhe më pas t’i ketë ofruar shërbime ligjore zotit Fazlliç në një skenë klasike të pastrimit të parave, në trajektoren Qipro-Tiranë në vlerën 1.7 milionë euro. Alibia e zgjedhur për të fashitur dyshime se si një kompani pa asete u shit 1,7 milionë euro duke servirur toka si asete, kanë rënë që kur kompania është shitur në qershor dhe kur toka është blerë 2 muaj më pas, në gusht”, - tha Braçe.

“Po dje, zonja Berisha dëshmoi se nuk ka qenë pjesë apo ofruar shërbimet e saj për procedurat e ndjekura për parkun e Porto Romanos. Por, mbi të gjitha ajo garanton se as avokatja Flutura Kola nuk ka marrë pjesë apo nuk ka ofruar shërbime në këtë procedurë. Dua t’u them se Flutura Kola, më 8 maj të vitit 2007, ka marrë prokurë të posaçme si përfaqësuese ligjore për kompaninë “Rompetrol Albania”, kompani ku Fazlliç dhe kryetari i bordit të kompanisë BG&R, Ed Rogers, kanë 40% të aksioneve dhe që rezulton përfituesja direkte nga vendimi i Berishës për të ndërtuar në tokën e tyre një TEC dhe aksesorë të tjerë energjitikë. Në përgënjeshtrim të Argita Berishës, ju tregoj prokurën e posaçme, po prapë nga Flutura Kola nga kompania “Rompetrol Albania”. Mbetet të verifikohet, nëse pjesëmarrja nëpër bordet e kësaj vendimmarrjeje është e vërtetë apo jo.

Të gjitha vendimet për parkun energjitik të Porto Romanos i ka marrë babai Sali, duke sjellë në dritë të diellit një konflikt të pastër interesi, pikërisht në familjen e tij. Kjo vendimmarrje nuk ka pasuruar fshatarët e varfër të Porto Romanos, por, përkundrazi, sa hap e mbyll sytë ka pasuruar, ashtu siç e pohon dhe vetë me të paktën 50 % të vlerës, zotin Damir Fazlliç”, - vijoi Braçe.

Ai përgënjeshtroi me fakte edhe deklaratën e mbesës së Berishës, se nuk ka audituar asnjë kompani të Damir Fazlliçit. “Dua t’ju them se ekspertja Shpresa Breçani figuron në dokumentet zyrtare të arkivuara në agjencitë e shtetit shqiptar si eksperte kontabël e kompanisë “Alfa” me numër licence 143, datë 12.9.06 në pronësi 100% të shtetasit Damir Fazlliç”, - tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›