Bode: Vjet mbetën pa u investuar 150 milionë dollarë
Vitin e kaluar qeveria shqiptare nuk ka mundur të investojë rreth 150 milionë dollarë, të cilat ishin parashikuar në buxhetin e atij viti. Ministri i Financave tha dje, duke paraqitur buxhetin faktik të vitit të kaluar, se në tërësi realizimi është 84 % e programit buxhetor, duke kapur shifrën prej 57 miliardë lekësh në total financimi i investimeve gjatë vitit 2007. Ministri i Financave tha se pjesa më e madhe e mosrealizimit të financimeve kishte të bënte me financimet e huaja, të cilat ishin realizuar në 52 për qind, ndërsa investimet me financime të brendshme ishin 93 për qind. Në të vërtetë, qeveria shqiptare vitin e kaluar, në muajin dhjetor, bëri një rishpërndarje të fondeve, por kjo nuk pengoi mosrealizimin e investimeve dhe lënien jashtë duarve të bizneseve dhe të punonjësve mbi 150 milionë dollarë. Buxheti faktik i vitit të kaluar veç mosrealizimit të investimeve ka arritur të bëjë të mundur ruajtjen e treguesve ekonomikë në nivele të parashikuara. Ministri Financave tha se ky buxhet mundësoi rritjen me 17 për qind të pagave të sektorit buxhetor, por edhe të atij privat. Në të vërtetë, niveli i pagave në sektorin privat jobujqësor nuk ka pësuar rritje mesatare që prej dy vitesh, pavarësisht pagave të referencës që ka vendosur qeveria shqiptare. Pagat e referencës kanë rritur sasinë e parave që shkon në tatime si pasojë e mbledhjes më me ashpërsi e tatimit mbi të ardhurat personale dhe e takës së punës, por assesi nuk kanë rritur pagat e punonjësve. Ministri i Financave tha se buxheti i vjetshëm ka pasqyruar luftën ndaj informalitetit, duke qenë se aty ka patur një rritje të të ardhurave. Këtë gjë ministri e përktheu si një betejë mbi informalitetin, evazionin fiskal dhe korrupsionin, gjë që është pjesërisht ose asfare e vërtetë. Pagat e referencës dhe çmimet e referencës janë arsye kryesore dhe veç kësaj fakti që ekonomia rritet me 6% ka një pjesë të rëndësishme në rritjen e të ardhurave. Ministri i Financave tha se në lidhje me tregun e punës ka patur zhvillime të rëndësishme dhe se niveli i papunësisë ishte 13,2%. Në fakt, niveli i papunësisë ka rënë me vetëm 0,1 për qind, sipas Institutit të Statistikave, çka do të thotë se ai praktikisht nuk ka rënë fare. Ministri i Financave nuk tha sesa njerëz ishin punësuar rishtas në punë gjatë vitit që kaloi. Ministri përmendi nivelin prej 3,5 % të deficitit vitin e kaluar, duke e quajtur atë shumë të ulët, pavarësisht faktit se këtë vit ai është dy herë më i lartë. Ministri nuk tha në asnjë rast se skepticizmi i FMN në ruajtjen e deficitit dhe në programimin realist të buxhetit kishte patur ndikimin e vet.