E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sjellja e qeverisë është shqetësuese

Nga John L. Withers

Dëshiroj të filloj duke shprehur urimet dhe admirimin tim për Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Në të kaluarën, zonja Rama është krahasuar me personazhin artistik Silvia Konti. Siç e dini, zonja Konti ishte e përkushtuar dhe e vendosur të luftonte krimin, pavarësisht çfarë pengesash i krijonin, pavarësisht nga vështirësia e rrethanave, apo kundërshtitë ndaj saj. Ky krahasim është me vend, por nuk arrin lart sa duhet. Sepse personazhi i Silvia Kontit ishte artistik, ndërsa detyrat që zonja Rama ka marrë përsipër janë shumë reale. Përgjegjësitë e saj janë jo vetëm të hetojë disa prej çështjeve më të vështira dhe më të debatueshme që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, por në një kuptim më të gjerë dhe më të thellë, të japë një kontribut me peshë në ndërtimin e demokracisë shqiptare duke mbrojtur pavarësinë e institucionit të saj dhe të gjyqësorit në përgjithësi ndaj presioneve politike dhe sulmeve politike. Nuk më duhet ndonjë mençuri e madhe për të parashikuar që, kur të shkruhet historia e demokracisë shqiptare, për njerëzit si Ina Rama do të ketë një kapitull të veçantë. Do të doja gjithashtu të thoja disa fjalë për prokurorët, zyrtarët ligjzbatues dhe profesionet e institucionet e tjera që përfaqësohen në këtë audiencë.

Më lejoni të ndaj me ju një histori të shkurtër. Në historinë e hershme të Shteteve të Bashkuara, kur skllevërit që mbaheshin të lidhur në plantacionet e jugut kërkonin lirinë e tyre, nuk kishin as busulla, as harta. Shumica as nuk lexonin dot. Mes tyre dhe lirisë në veri qëndronin këneta, lumenj, male, e shumë pengesa të tjera. Ajo që këta skllevër kishin ishte vendosmëria e tyre për të qenë të lirë dhe një copë dije. Kjo copë dijeje ishte që ekzistonte një yll, Ylli Polar. Dhe, për sa kohë që ndiqnin atë yll, ishin në shtegun drejt lirisë. Të gjithë ju në këtë sallë keni një Yll Polar. Dhe ky yll është Ligji. Për sa kohë që ndiqni ligjin, pavarësisht nga kritikat që merrni, pavarësisht nga presionet që ju bëhen, edhe ju do ta arrini objektivin tuaj përfundimtar. Siç jeni shumë mirë në dijeni, parlamenti po shqyrton fillimin e një komisioni hetimor për funksionimin e prokurorëve dhe Prokurores së Përgjithshme këtu në Shqipëri.

Qeveria ka bërë thirrje edhe për njëfarë inspektimi ndërkombëtar në këtë fushë, të cilin, sinqerisht, e gjej të pashpjegueshëm. Të gjitha këto i gjej shumë çoroditëse dhe mjaft shqetësuese. Tetorin e kaluar, pak pasi kisha ardhur këtu, parlamenti kish filluar një komision hetimor për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Tani, duket se synon të bëjë të njëjtën gjë ndaj Prokurores së Përgjithshme aktuale. Po, parlamenti ka të drejtë të ngrejë komisione hetimore, por mos është kjo diçka që parlamenti shqiptar e bën çdo tetor? Nuk shoh asnjë arsye legjitime, përse qeveria apo parlamenti t'i ndërmarrë këto lëvizje. Nxis si qeverinë, ashtu edhe parlamentin t’i rishqyrtojnë këto lëvizje impulsive që duken se ndërhyjnë në pavarësinë e një institucioni që ka nevojë të jetë i pavarur. Këshilla ime dhe e qeverisë sime është që prokurorët të lejohen të bëjnë punën e tyre si aktorë të pavarur që janë.

* Ambasador i SHBA. Fjala e mbajtur dje në seminarin mbi “Bashkërendimin e Institucioneve Kundër Pastrimit të Parave”. Titulli është redaksional

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›