Berisha dorëzohet për Porto Romanon, por kërkon të shmangë shtetëzimin me deklarata politike
Kryeministri, Sali Berisha, tha dje në Kuvend se do miratonte një ligj për shtetëzimin e tokës në Porto Romano, por e ktheu këtë në një debat politik, kur tha se ishte opozita ajo që duhej ta sillte një projekt të tillë. Duke folur me tonë të ashpra, Berisha tha se pozita duhet të paraqesë propozimin për hartimin e një ligji të posaçëm për shtetëzimin e çdo centimetër toke në Porto Romano dhe qeveria do të jetë e gatshme ta miratojë atë.
Por përfaqësues të opozitës e kundërshtuan një gjë të tillë dhe kërkuan që ligjin ta bëjë vetë qeveria dhe vetë kryeministri, i cili akuzohet për implikim në një aferë familjare që lidhet me prona në këtë zonë.
Megjithatë, kryeministri Berisha garantoi se është kundër çdo shtetëzimi, por do ta bëjë atë “vetëm njëherë me kërkesë të opozitës shqiptare, për të shtetëzuar çdo centimetër tokë në Porto Romano”.
Berisha përdori një fjalor të ashpër ndaj opozitës, dukshëm i irrituar pas qëndrimeve të fundit të ndërkombëtarëve. Duke e konsideruar opozitën të kapur nga klanet mafioze, kryeministri Berisha u shpreh se kjo është “opozita e trillimeve dhe mashtrimeve, por megjithatë do të jetë sovrani ai që do të japë verdiktin”.
Në përfundim, kreu i qeverisë kërkoi që opozita të sjellë në Kuvend kërkesën për mocion mosbesimi ndaj kryeministrit.