Ta çojmë botën drejt stabilitetit financiar
Sistemi bankar është themelor për gjithçka që ne bëjmë. Çdo familje dhe çdo biznes në Britaninë e Madhe varet prej tij. Ja përse, kur të kërcënuar nga trazira globale financiare që filloi në Amerikë dhe që tani është përhapur në të gjithë botën, ne në Britani vepruam për të siguruar bankat dhe sistemin financiar. Programi i stabilitetit dhe ristrukturimit për Britaninë, të cilin ne e shpallëm këtë javë, është i pari për të zgjidhur së bashku në të njëjtën kohë tre komponentë esencialë të një sistemi modern bankar - likuiditetet e mjaftueshme, fondet dhe kapitalet. Kështu, Banka e Anglisë ka premtuar të dyfishojë sasinë e likuiditeteve që ajo iu jep bankave. Ne kemi garantuar kredi të reja midis bankave, në mënyrë që ato të mund të japin sërish kredi për njëra-tjetrën dhe të paktën 50 miliardë paund do të jenë në dispozicion për të ri-kapitalizuar bankat tona.
Ne do të marrim aksione në banka, në shkëmbim për një rikthim dhe do të garantojmë kredimarrjen, huamarrjen në banka në terma tregtare. Në zemër të këtyre reformave janë parimet e pastra të transparencës, integritetit, përgjegjësisë, administrimit të mirë të shtëpisë dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Por, për arsye se ky është një problem global, ai kërkon një zgjidhje globale. Efektivisht kjo tani lëviz në një shkallë globale, me një varg takimesh ndërkombëtare duke filluar këtë javë me G7 dhe FMN dhe ne propozojmë kulmimin në një takim të udhëheqësve, në të cilin ne duhet të formulojmë parimet dhe politikat e reja për ristrukturimin e sistemit tonë bankar dhe financiar në të gjithë globin. Kur u bëra kryeministër, nuk prisja të merrja vendimin, së bashku me Alistair Darling, për qeverinë që të ofrohej për të marrë aksione në bankat tona kryesore, ashtu sikurse askush nuk mund të kishte parashikuar veprimet e marra në Amerikë. Por, këto kohë të reja kërkojnë ide të reja.
Zgjidhjet e vjetra të djeshme nuk do të na shërbejnë gjithashtu për sfidat e së sotmes dhe të nesërmes. Kështu, ne duhet të lëmë pas dogmat e vjetra dhe të përqafojmë zgjidhjet e reja. Sigurisht, politikat që secili vend ndjek, duhet të jenë adaptuar në bazë të rrethanave të tij të veçanta. Por, mbështetur mbi metodën britanike, unë besoj në bashkëpunimin më të gjerë evropian edhe në koordinimin midis ekonomive kryesore. Këtu janë katër hapa të gjerë, të cilët ne duhet t'i ndërmarrim për të restauruar sistemin tonë financiar ndërkombëtar.
Së pari, çdo bankë në çdo vend duhet të plotësojë kërkesat e kapitalit që sigurojnë besimin. Ashtu si në Mbretërinë e Bashkuar ne kemi vënë në dispozicion të paktën 50 miliardë paund kapital të ri. Po kështu, vendet e tjera, ku bankat kanë kapital të pamjaftueshëm, do të duhet të marrin masa për ta zgjidhur këtë. Vetëm bankat e forta dhe solide do të jenë në gjendje t'i shërbejnë ekonomisë globale.
Së dyti, likuiditeti afatshkurtër është thjesht një mënyrë për të ruajtur ecurinë e sistemit. Ajo që realisht vlen për të ardhmen, është që të hapen tregjet e parasë, të cilat kanë qenë mbyllur për financimet afatmesme nga sektori privat. Deri disa javë më parë, çdokush vlerësonte domethënien e vërtetë të tregjeve financiare brenda krizës së gjerë globale financiare dhe rëndësinë e besimit në këto tregje. Por, ngrirja e tregut për financimet afatmesme reflekton një humbje totale të besimit midis bankave. Pasojat potenciale ekonomike nuk mund të zvogëlohen. Roli i bankave është që të qarkullojnë kursimet nga depozitat, pensionet tona dhe nga kompanitë drejt atyre që kanë nevojë për të shpenzuar apo për t'i investuar ato. Kostoja me të cilën bankat mund t’i marrin hua këto pará prek drejtpërdrejt kostot e hipotekave për pronarët e shtëpive dhe huamarrjes për biznesin. Kjo paralizë e huamarrjes nga humbja e besimit rrezikon fluksin e parave të çdo familjeje dhe çdo biznes në vend.
Garancia jonë për të rifilluar tregjet me shumicë të parasë, në këmbim të një pagese, besoj që ka hapur terren të ri për rifillimin e sistemit tonë financiar.
Së treti, ne duhet të kemi rregulla të forta ndërkombëtare për transparencën, hapjen dhe standarde më të larta administrimi. Ekonomitë e suksesshme të tregut kanë nevojë për besim, i cili mund të ngrihet vetëm përmes vlerave të përbashkëta. Kështu, ndërsa ne reformojmë sistemin tonë financiar, duhet të inkurajojmë punën e madhe, përpjekjet, nismën dhe marrjen përsipër të përgjegjësive ndaj rrezikut, cilësi që tregjet duhet të garantojnë, kështu që çmimi për këtë fluks do të shihet se është i drejtë. Por, kur sjellja e pakujdesshme kalon kufirin midis sipërmarrjes së përgjegjshme, të cilën ne duam ta ngremë lart dhe sjelljes së pakujdesshme, atëherë ne duhet të veprojmë për të parë që tregjet të funksionojnë në interesat publike, për të reflektuar vlerat tona të përbashkëta.
Dhe, së katërti, sistemet tona kombëtare të mbikëqyrjes janë thjesht të papërshtatshme për t'u përballur me fluksin gjigant ndërkontinental të kapitaleve në këtë botë të re dhe gjithnjë e më shumë të ndërvarur. Unë e di që institucionet më të mëdha financiare do të mirëpresin kolegjet ndërkufitare të mbikëqyrjes, të cilat duhet të ngrihen menjëherë. Forumi për Stabilitetin Financiar dhe një Fond Monetar Ndërkombëtar i reformuar duhet të luajnë pjesën e tyre jo vetëm në zgjidhjen e krizave, por edhe në parandalimin e krizave.
Dhe, mekanizmi për stabilizimin financiar duhet të jetë shoqëruar nga një bashkëpunim më i gjerë ndërkombëtar ekonomik, si ai që filloi të mërkurën e kaluar me veprimin e koordinuar mbi normat e interesit. Kam thënë se të gjithë duhet të bëjnë gjithçka për të siguruar stabilitetin e sistemit tonë financiar. Dhe ne nuk duhet të zmbrapsemi prej marrjes së vendimeve të guximshme dhe me ndikim të gjerë për të mbështetur familjet dhe bizneset britanike gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme.
Ne duhet të veprojmë tani për një afat të gjatë me veprime të koordinuara kombëtare. Zgjidhja dhe vendosmëria e qeverive dhe njerëzve në të gjithë botën është vënë në provë. Por, përtej kufijve të vjetër, ne tani duhet të dyfishojmë përpjekjet tona ndërkombëtare. Kjo është e mundur vetëm përmes veprimeve në shkallë të gjerë dhe të koordinuara në të gjithë globin, me anën e të cilave do të mbështeten në mënyrë të përshtatshme familjet dhe bizneset në këtë epokë globale.