E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Strategji kundër krimit, drogës e terrorizmit

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përkrahur hartimin e strategjive të reja dhe planeve të veprimit 2012-2017 kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimit të organizuar gjatë disa punëtorive të mbajtura në Durrës, thuhet në njoftimin e këtij misioni.

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Misioni ka punuar me përfaqësuesit e policisë së Kosovës, ministritë, këshillat gjyqësor dhe prokurorial, si dhe me EULEX-in, ICITAP-in, UNDP dhe organizata jo-qeveritare për të rishikuar strategjitë 2009-2012 dhe për të ndihmuar në hartimin e strategjive të reja, të cilat vazhdojnë deri në vitin 2017.

"Strategjia kundër trafikimit të drogës ka për qëllim ruajtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e abuzimit me droga duke zvogëluar mundësinë e sigurimit dhe kërkesës për drogat e ndaluara, kurse strategjia kundër terrorizmit përqendrohet në parandalimin, ndjekjen, mbrojtjen dhe reagimin ndaj aktiviteteve të terrorizmit", vlerëson përmes një deklaratë për mediat, OSBE.

Strategjia kundër krimit të organizuar, si strategji ombrellë përcakton rolet e agjencive për zbatim të ligjit dhe parashikon masa për përmirësimin e mëtutjeshëm të punës së tyre. Kjo strategji përfshinë edhe komponentin e ngritjes së vetëdijes për të siguruar përkrahje për implementimin e saj, thuhet më tej në deklaratë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›