Analistët: Ende herët për takimin Jahjaga-Nikoliç
Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, janë shprehur dakord për tu takuar me njëri-tjetrin, të paktën nëpërmjet deklaratave zyrtare, por analistët në Kosovë mendojnë se një takim i tillë është i parakohshëm dhe mund të prodhonte efekte negative. Sipas tyre, Presidenti serb, Nikoliç, paraqet një personalitet me shumë pikëpyetje te komuniteti ndërkombëtar, sidomos te vendet e botës demokratike, kështu që realizimi i një takimi të shpejtë me Presidenten Jahjaga konsiderohet se do ti nevojitej atij vetëm për të përmirësuar imazhin e tij para bashkësisë ndërkombëtare. Gjatë prononcimeve në REL, analistët u shprehën se problemi i këtij takimi është i ngjashëm me atë të dialogut të zhvilluar deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, se mungon ambienti adekuat tek opinioni publik për ti pranuar takimet e tilla dhe rezultatet e tyre.