OSBE: Sulmi i mbrëmshëm, sulm ndaj lirisë së shprehjes

Ushtruesja e detyrës së shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Elaine Conkievich, dënoi sot incidentin e dhunshëm që ndodhi mbrëmë i cili bëri që të anulohet prezantimi i revistës Kosovo 2.0.
Një grup i njerëzve u mblodhën pranë hyrjes së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë duke ndalur njerëzit që të vijnë në këtë prezantim. Më vonë ky grup hyri në ndërtesë dhe demoloi skenën dhe pajisjet, transmeton koha.
“Unë e dënoj fuqishëm incidentin e mbrëmshëm i cili çoi në anulimin e prezentimit të botimit të ri të revistës Kosovo 2.0”, tha Conkievich.
“Ky është një sulm ndaj lirisë së shprehjes, një e drejtë bazë e njeriut, si dhe një përpjekje për të kufizuar lirinë e medias. Unë u bëj thirrje të gjitha agjencive për zbatimin e ligjit që të bëjnë një hetim të shpejtë, t’i identifikojnë kryesit e kësasj vepre dhe të parandalojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe sulmet ndaj lirisë së medias”, shtoi Conkievich.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike./Indeksonline/