E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: është me rëndësi vazhdimi i reformave politike

Zhigalov vlerësoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe OSBE-së dhe njohu Metën me prioritetet e Kazakistanit gjatë kryesimit të OSBE-së, ku spikat ndihma për stabilizimin e Afganistanit dhe mbajtja e një Samiti të krerëve të Shteteve anëtare të OSBE-së në fund të këtij viti.

Duke folur për krizën politike në Shqipëri, ai u shpreh se ishte me rëndësi që opozita u kthye në Kuvend. “Nga ana jonë, si kryesi e radhës e OSBE-së jemi shumë të kënaqur që Partia Socialiste zuri vendet e saj në Parlament. Në këtë kuptim, ne përshëndesim gatishmërinë e shprehur nga të dyja palët për të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar. Natyrisht sipas kuptimit tonë kjo është një çështje e brendshme që u takon forcave politike te vendit për ta zgjidhur atë, por ne si OSBE jemi të gatshëm që të ndihmojmë në rast se një gjë e tillë na kërkohet. Gjithashtu, ne mendojmë se ka rëndësi vazhdimi dhe zhvillimi i reformave politike si edhe i reformës zgjedhore në vendin tuaj në zbatim të rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it”, u shpreh ai gjatë konferencës për shtyp pasditen e djeshme.

“Njëkohësisht e njoha z. Zhigalov me vullnetin e Qeverisë shqiptare për të kryesuar OSBE-në në vitin 2014, si dhe me përgatitjet tona për të rritur të gjitha kapacitetet njerëzore, organizative dhe financiare në funksion të marrjes së kësaj kryesie në vitin 2014. Natyrisht i bëra të qartë vullnetin dhe dëshirën e Qeverisë shqiptare për të zhvilluar marrëdhënie të një niveli të ri dhe më aktiv bilateral me Kazakistanin”, tha Meta nga ana e tij.

I Dërguari Special i OSBE-së z. Konstantin Zhigalov ka ardhur në Shqipëri në kuadër të një vizite që Kryesia Kazake e OSBE-së po zhvillon në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›