E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Rama dhe Berisha ta harrojnë se mund të vjedhin votat e shqiptarëve”



Shaban Sulçe

“Jo diktaturës, vota është demokraci”, - kjo ka qenë motoja e Konventës së Jashtëzakonshme të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e mbledhur për të koordinuar aksionin e saj të fuqishëm politik, për të mbrojtur zgjedhjet e ardhshme parlamentare nga komploti Rama-Berisha. Mijëra anëtarë të LSI-së kanë kërkuar dje nga kryeministri Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, që të tërhiqen nga çdo marrëveshje për të dëmtuar procesin zgjedhor, duke mënjanuar komisionerët e LSI-së me synim vjedhjen dhe grabitjen e votave. Gjatë fjalës së tij në këtë konventë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se pakti i ngushtë dhe i errët Rama-Berisha përveçse dhunoi Kushtetutën, tashmë po synon të instalojë diktaturën në Shqipëri. Meta tha se Rama dhe Berisha përbëjnë rrezik për demokracinë shqiptare, sepse plani i tyre është që të grabisin votat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Këta dy individë, të veshur me pushtet të pamerituar, janë sot simbioza e së keqes dhe e rrezikut të madh që u kanoset të gjithë qytetarëve. Kulturën e tyre totalitariste e neodiktatoriale e kanë shtrirë në çdo qelizë të pushtetit politik dhe administrativ që zotërojnë”, - tha Meta.
Kodi Zgjedhor
Kryetari i LSI-së denoncoi prapaskenat Rama-Berisha për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Meta tha se Rama dhe Berisha po tentojnë të përjetësojnë në Kodin e ri Zgjedhor hajdutërinë e tyre elektorale, duke prekur balancat e përbërjes së komisioneve.
“E pas gjithë këtyre bëmave tragjike dhe teatrit të tyre politik duke bërë sikur i bëjnë opozitë njëri-tjetrit, këta dy demagogë kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t'i vënë kazmën edhe zgjedhjeve të ardhshme, nëpërmjet një kodi zgjedhor të hartuar në ilegalitet të plotë, në mungesë totale të transparencës, ndërkohë që dihet botërisht se janë pikërisht ata shkatërruesit dhe fajtorët e vetëm të vjedhjes së votave dhe prishjes së zgjedhjeve në Shqipëri, në kundërshtim të hapur me kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për gjithëpërfshirje dhe konsensus sa më të gjerë, në krah të kundërt me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe me qëllimin e vetëm për të përjetësuar hajdutërinë elektorale dhe për të dënuar e dëmtuar ata që kurrë nuk janë pajtuar me vjedhjen e votës, si LSI-ja, që është e vetmja forcë kryesore politike në vend që e ka shndërruar votën e lirë dhe zgjedhjet e ndershme në kauzën themelore të saj dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.
Prandaj, sot më shumë se kurrë vendi ndodhet në një udhëkryq shumë të rrezikshëm”, - tha Meta.
Zgjedhjet
Kryetari i LSI-së tha se qëllimi i Ramës dhe Berishës për të grabitur zgjedhjet e ardhshme e kanë vënë demokracinë shqiptare në rrezik. Meta tha se reagimi i LSI-së nuk ka të bëjë me qëllimin e saj për të kërkuar privilegje nga hartimi i kodit të ri zgjedhor, por me mbrojtjen e kauzës së saj kryesore, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Këta ustallarë të së keqes po gatuajnë për të lënë LSI-në, njërën prej tri forcave më të mëdha politike në Shqipëri dhe kontribuese thelbësore për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, jashtë përfaqësimit në të gjitha nivelet e komisioneve të administrimit të procesit zgjedhor, me qëllimin e vetëm që t'i kenë duart e lira që të grabisin, të tjetërsojnë, si në 2005-n, votën e shqiptarëve, bazuar mbi parimin "nuk ka rëndësi se kush voton, rëndësi ka që votat i numërojmë ne". Kjo është provë e qartë se mashtrimi i shqiptarëve dhe grabitja e votës së tyre është i vetmi qëllim që kanë, pasi realiteti politik në vend është aspak i favorshëm për ta dhe e ndiejnë përditë e më shumë ndëshkimin që shqiptarët do t'u bëjnë me votën e tyre të lirë. LSI nuk ka kërkuar kurrë asnjë privilegj në proceset zgjedhore, përveç asaj që me të drejtë i takon, por nga ana tjetër nuk do të tërhiqet kurrë e do të luftojë deri në fund për përmbushjen e të drejtave të ligjshme të saj që burojnë nga vota e popullit, duke e renditur atë si forcën e tretë politike të padiskutueshme në vend në të gjitha zgjedhjet, ku ajo ka marrë pjesë, si në 2005-n në kushtet e vjedhjes dhe represionit të pashembullt, ashtu edhe në 2007-n në zgjedhjet e pushtetit lokal”, - tha Meta. Kryetari i LSI-së tha se koalicioni korruptiv Rama-Berisha po përballet me koalicionin e opozitës së vërtetë të kryesuar nga LSI-ja, koalicion që do të fitojë zgjedhjet e vitit 2009.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›