E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE-ja korrigjon ambasadorin për grevën

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, "ka bërë me zemër" dje deputetët grevistë dhe mbështetësit e tyre, ku ka shpërndarë dy qëndrime jo të njëjta, njëri që mbështeste kauzën e partive të vogla dhe tjetri që e cilësonte grevën e urisë një "mjet presioni". Vetë selia e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Tiranë është përfshirë në një pështjellim, që ka ardhur nga komentimi "vullkanik" i një deklarate të mëngjesit të ambasadorit Bosh. Por, më pas, kjo deklaratë është "korrektuar", duke pasur parasysh aksiomën se "qëndrimi i dytë anulon të parin".

Deklarata nr. 1

Duke dalë nga një aktivitet publik, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Robert Bosh, deklaroi për mediat se Kodi i ri Zgjedhor nuk duhet të diskriminojë asnjë parti politike në vend. "OSBE dhe ODIHR kanë dhënë disa rekomandime në vitin 2005. Një prej këtyre rekomandimeve është që administrimi i zgjedhjeve duhet të kryhet në mënyrë pluraliste dhe përfshirës. Partitë politike duhet të garojnë me njëra-tjetrën në mënyrë të barabartë. Diskriminimet ndaj çdo partie duhet të hiqen nga Kodi Elektoral. Ndaj, shpresoj se drafti i Kodit Elektoral duhet të diskutohet gjatë në Komisionin e Ligjeve, dhe më pas në Parlament", tha ambasadori Bosh. Sipas tij, kjo është e nevojshme, pasi drafti i përgatitur ka shumë mangësi. "Shpresoj të mos anashkalohet, sepse drafti aktual duhet të diskutohet, sepse nuk është një dokument i përsosur. Duhet të diskutohet normalisht dhe shpresoj që kjo të ndodhë". Ambasadori Bosh deklaroi se kjo përfaqësi në Shqipëri nuk ka ndërhyrë në reduktimin e numrit të komisionerëve dhe se Kodi i ri Zgjedhor është produkt i politikanëve shqiptarë. "Nuk kemi rekomanduar ne që të reduktohet numri i komisionerëve", u shpreh kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, duke theksuar që në asnjë mënyrë komisionerët të jenë vetëm nga dy parti. Ambasadori Bosh shtoi se ligji elektoral ka ende hapësira për diskutim dhe se formula aktuale mund të përfshijë të gjitha partitë. Sipas tij, OSBE-ODIHR kanë vënë gjithmonë në dukje në çdo proces zgjedhor disa probleme që nuk janë korrekte për të. Si të tilla, ai përmendi transportin e kutive të votimit, shoqërimi i tyre etj.

Deklarata nr. 2

Ndërkohë, vetëm pak orë pas deklaratës së diplomatit holandez që drejton Prezencën e OSBE-së në Tiranë, zyra për shtyp e kësaj organizate ka sjellë një njoftim, në të cilin kërkohet të korrigjohet qëndrimi i ambasadorit Bosh, ku pjesa kryesore e këtij "korrektimi" është shtimi i frazës që "nuk duhen përdorur mjete presioni për të arritur qëllimet politike". Kjo deklaratë, faktikisht nuk është shumë përkrahëse e grevës së urisë së dhjetë deputetëve. Në të thuhet shprehimisht se "Prezenca e OSBE-së përsërit sërish se është e mendimit se drafti i Kodit Zgjedhor, i cili është përgatitur nga vetë shqiptarët, është një arritje, por se ai ka ende nevojë për t‘u akorduar më mirë. Për këtë arsye, ai duhet të diskutohet në forumin e duhur nga partitë, por pa presion nga ndonjë grupim. Prezenca e OSBE-së thekson sërish se kodi, si në çdo demokraci, do të jetë vendim i Parlamentit shqiptar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›