Tirana feston 64-vjetorin e çlirimit
Në përkujtim të 64-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës organizoi dje një ceremoni solemne në sheshin më të ri urban, pranë "Ushtarit të panjohur". Përpara qindra veteranëve, pjesëmarrësve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, të afërmve të të rënëve, miqve e dashamirësve të kryeqytetit, Edi Rama falënderoi veteranët e luftës për sakrificat, duke i cilësuar idealet e tyre të patjetërsueshme për Evropën e bashkuar e njëkohësisht duke ju përulur me nderim mundit të tyre si një pike të ndritur referimi për të gjitha brezat. "Unë besoj se jeta juaj është një dëshmi e asaj që duhet të jetë jeta e një qytetari që jeton në vetëdijen, se të jesh një njeri i mirë nuk mjafton për të qenë një qytetar i mirë. E ndërkohë që vitet ikin dhe ligësia e jetës ndan çdo ditë njerëz ndër ju, nga kjo botë ku jetojmë të gjithë së bashku, nuk është e tepërt të ngremë shqetësimin se si kjo mënyrë të jetuari në idealin e një vlere në të mirën e përbashkët do t‘u kalojë brezave, si amanet i atyre që s‘janë më dhe atyre që jetuan me ato ideale e ide në kohërat më të rënda për vendin" u shpreh kryebashkiaku në ceremoninë e djeshme. "Sot, unë ju përulem të gjithëve ju, tha Rama, në emër të qytetarëve të Tiranës, që asnjëherë nuk duhet dhe nuk do ta harrojnë, që ditët që jetojmë, s‘do të ishin të tilla, pa ata që s‘janë më dhe që e falën jetën e tyre për të sjellë agimin, pas natës së errët të pushtimit dhe pa ju, që një jetë të tërë ia kushtuat idealeve dhe ideve tuaja, ideale që mbeten të patjetërsueshme për Evropën e bashkuar, ku ne duhet dhe do të integrohemi, sepse e keqja ndërron pamje dhe rrugë për t‘u shfaqur mes nesh, por asnjëherë nuk ndërron natyrën e saj".
Nga ana e tyre, veteranët sollën edhe një herë në kujtesën e kohës faktin se Tirana u çlirua nga forcat partizane pa ndihmën e forcave aleate. Ceremonia me homazhet e rastit u zhvillua te busti "Ushtari i panjohur", memoriali që simbolizon të gjithë të rënët në luftën për çlirimin e kryeqytetit më 17 nëntor 1944.
Nga ana e tyre, veteranët sollën edhe një herë në kujtesën e kohës faktin se Tirana u çlirua nga forcat partizane pa ndihmën e forcave aleate. Ceremonia me homazhet e rastit u zhvillua te busti "Ushtari i panjohur", memoriali që simbolizon të gjithë të rënët në luftën për çlirimin e kryeqytetit më 17 nëntor 1944.