E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petraq Milo:Kriza nga kreditë e këqija

Kriza financiare në botë ka ardhur si shkak, ndër të tjera, edhe i nivelit të kredive të pakthyera ndaj bankave, duke sjellë falimentimin e tyre. Pikërisht, këtë fenomen po e vuajnë edhe bankat në Shqipëri, por që, sipas Petraq Milos, nuk përbën shqetësim për ekonominë e vendit. Duke folur dje, në Kryeministri për arritjet e projektbuxhetit 2009, këshilltari i Kryeministrit tha se "është kontrolli dhe forcimi i kontrollit të sektorit bankar ndërmjet masave për të rritur më shumë transparencën dhe kryesisht për të rritur dhe kontrolluar kreditë, pasi një nga shkaqet e krizës ka qenë dhënia e kredisë personave që nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë pronë". Pikërisht forcimi i këtyre rregullave garanton qëndrueshmërinë ose dhënien e kredisë në aktivitete që mbështesin rritjen ekonomike, shtoi Milo. Ai ka pranuar që kreditë e këqija nuk janë të favorshme. Por, sipas tij, duhet të kihet parasysh një fakt, që volumi apo niveli i kredive të këqija në Shqipëri përgjithësisht mbetet në nivele shumë të ulëta, të kontrollueshme dhe unë do të thosha që është nga më të ulëtat në rajon. Duke folur për marrëdhëniet e qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Milo sqaroi se marrëdhëniet me Fondin janë marrëdhënie negociatash dhe të dy palët janë partnerë. "Në një partneritet, sigurisht që mendimet dhe sugjerimet merren parasysh, diskutohen dhe debatohen dhe zgjidhet varianti, i cili është më efikas", tha këshilltari i Kryeministrit, duke shtuar se qeveria dhe FMN kanë rënë dakord që ulja e kontributeve shoqërore mund të fillojë nga 1 maji i vitit 2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›