E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE mbështet standardizimin e rregulloreve komunale

Nga Express më 01 mars 2011 në ora 21:03

Një punëtori e organizuar Misioni i OSBE-së dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që u fokusua në përmirësimin e cilësisë së akteve komunale përfundoi sot në Ohër.

Kjo punëtori dyditore mblodhi mbi 40 pjesëmarrës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, të cilët kanë diskutuar se si të përmirësohet hartimi i akteve komunale para se ato të dërgohen për miratim në asambletë përkatëse.

Pjesëmarrësit u pajtuan për nevojën e forcimit të lidhjeve ndërmjet administratave të nivelit qendror dhe lokale për të ndërtuar dhe konsoliduar kapacitetet e disa komunave në fushën e qeverisjes lokale dhe mbikëqyrjes si dhe për përfshirjen e publikut të përgjithshëm si faktor qenësor në procesin e vendimmarrjes.

“Aktet komunale të fuqishme dhe cilësore përbëjnë themelin e vendimeve ekzekutive administrative ndaj qytetarëve”, tha Jan Lueneburg, Shef i sektorit të Pushtetit Lokal në OSBE.

Ai tha se publiku ka të drejtë të marrë veprime përmirësuese kundër vendimeve administrative në pajtim me të drejtat.

Pjesëmarrësit e punëtorisë po ashtu kanë punuar në një urdhëresë administrative e cila udhëzon komunat në përgatitjen e akteve nënligjore, si dhe paraqitjen e rishikimin e akteve komunale.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Nijazi Kryeziu përshëndeti iniciativën dhe “fokusin e diskutimeve i cili qe përqendruar në hartimin e legjislacionit komunal nga pikëpamja e ligjvënësve, në vend se të bëhet nga pikëpamja e ekzekutivit të komunave”.

Kjo punëtori është e para në seritë e aktiviteteve të projekteve të vitit 2011 që synon përmirësimin e cilësisë së akteve komunale të lëshuara nga trupat komunale. Aktivitetet e nivelit qendror të Misionit shoqërohen dhe përcillen nga iniciativa lokale në nivelin rajonal dhe komunal.

Misioni i OSBE-së monitoron reformat e pushtetit lokal për të siguruar ruajtjen e autonomisë komunale dhe pajtueshmërinë me instrumentet ndërkombëtarisht të njohura me fokus të veçantë në përmirësimin e qeverisjes së mirë si dhe mbikëqyrjen e sundimit të ligjit në nivelin lokal.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›