E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Statusi është kapitull i mbyllur

Nga Express më 01 mars 2011 në ora 21:43

(E plotësuar) Prishtina është duke e përgatitur agjendën e bisedimeve me Beogradin, ka thënë kryenegociatorja e palës kosovare, Edita Tahiri.

"Ne jemi në përgatitje të fazës për fillimin e dialogut, i cili nënkupton përcaktimin e agjendës për bisedime dhe harmonizimin e saj", ka thënë ajo për AFP-në.

"Ne i kemi përkufizuar qartë vijat e kuqe. Është një dialog brenda kuadrit të çështjeve teknike, sepse çështja e statusit është kapitull i mbyllur", ka thënë Tahiri.

Tahiri: Dialogu, vlerë demokratike dhe evropiane

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka pritur sot Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar (PCN) në Kosovë, Pieter Feith.

Zëvendëskryeministrja Tahiri gjatë këtij takimi në veçanti u ndal tek dialogu teknik midis Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast theksoi se Kosova e vlerëson dialogun si një vlerë demokratike dhe evropiane.

“Republika e Kosovës do të këtë një frymë konstruktive dhe kreative dhe dialogu do të jetë ekskluzivisht i karakterit teknik për zgjidhjen e çështjeve praktike, që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përshpejtojnë integrimet e Kosovës në BE , NATO dhe institucione tjera ndërkombëtare”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa, Feith uroi zëvendëskryeministren Tahiri për detyrën e re në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ai vlerësoi rëndësinë e krijimit të institucioneve të reja të shtetit të Kosovës dhe përshëndeti gatishmërinë e Kosovës për dialogun teknik midis dy shteteve të pavarura, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe theksoi se ky dialog do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe fuqizimin e agjendës Evropiane për Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›