E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ ndryshon qendrim: Firmat për kandidatët e pavarur në Tiranë

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndryshuar mendje dhe ndryshe nga sa kishte parashikuar në projekt-akt ka vendosur që firmëtarët e partive dhe koalicioneve që nuk zotërojnë asnjë mandat të mos paraqiten në zyrat rajonale por në selinë e saj në Tiranë.

Kështu, të gjitha partitë dhe koalicionet që aktualisht nuk zotërojnë asnjë deputet në Kuvend, si dhe të gjithë kandidatët e pavarur do të duhet të paraqesin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ose të gjitha deklaratat (10 mijë në rastin e partive dhe 15 mijë në rastin e koalicioneve) e mbështetësve të tyre të noterizuara, ose duhet t'i paraqesin ata në mënyrë individuale para punonjësit të këtij institucioni në Tiranë për të shprehur mbështetjen e tyre.

Kanë qënë pikërisht përfaqësuesit e dy partive të mëdha, Genci Gjonçaj dhe Njazi Kosovrasti ata që kanë kërkuar me këmbëngulje që zyrave rajonale tu hiqej kompetenca e vendimarrjes përsa i përket mbledhjes dhe verifikimit të vërtetësisë së deklaratave të mbështetësve. "Ne kemi rënë të gjithë dakort në këtë komision që zyrat rajonale të KQZ-së nuk duhet të ketë kompetenca vendimarrje.

Prandaj ato s'mund të presin firmëtarët për të deklaruar mbështetjen e tyre për një subjekt të caktuar zgjedhor. Kjo kompetencë është e KQZ-së dhe jo e zyrës rajonale", - tha Gjonçaj.

Por, sipas kryetarit të komisionit, Arben Ristani, anëtarët e këtij institucioni nuk mund të ndjekin vet nga afër gjithë procesin e deklarimit të 10 apo 15 mijë mbështetësve, prandaj dhe është menduar që këtë detyrë të mund ta kryejnë edhe zyrat rajonale.

Por me ndërhyrjen edhe të anëtarëve të tjerë të KQZ-së është vendosur që deklarimet të bëhen vetëm në KQZ, përpara nënpunësve të autorizuar nga ky komision.

Por një përcaktim i tillë, bënë pothuajse të pamundur kandidimin e partive dhe koalicioneve që nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, apo edhe të kandidatëve të pavarur.

Kjo për vet faktin se një procedurë e tillë është tepër e kushtueshme nga ana financiare, si në rastin e akteve noteriale ashtu edhe të paraqitjes së mbështetësve nga rrethet përpara KQZ-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›