Ish-ushtarakët, drafti i ri i pensioneve
TIRANË- Qeveria shqiptare ka gati dy variante për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve, por që asnjë prej tyre nuk rregullon pretendimet e ngritura prej kohësh nga kjo kategori.
Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçe, ka deklaruar dje, në një intervistë për "Shekulli"-n se kjo shoqatë është njohur jo zyrtarisht me variantet në fjalë, dhe se përmbajtja e tyre, sipas tij, nuk ndryshonte asgjë në thelb. "Pensioni i parakohshëm mbetet në nivelin që është.
Pensioni suplementar, për ata që kanë dalë në pension përpara vitit 1991, nga 50 për qind që parashikojnë ligjet e mëparshme, ulet në masën 15 -20 për qind.
Pensioni i pleqërisë, së bashku me pensionin suplementar, për ata që kanë dalë në pension nga viti 1992 deri në vitin 1998, pothuajse nuk ka ndryshuar dhe mbetet në të njëjtën masë, pasi bëhet një farë rritjeje e pensionit të pleqërisë, por në të njëjtën kohë ulet masa e pensionit suplementar", - tha ai.
Pogace flet edhe pozicionimin politik të shoqatës që ai kryeson, si dhe argumenton qëndrimin që do të mbajnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Deri më tani, më afër interesave tona qëndron Partia Socialiste.
Dua të theksoj se vota jonë do të ketë një peshë të madhe, pasi lidhur me projektligjin që ne kërkojmë të miratohet në favor të interesave tona, janë të interesuar jo vetëm ushtarakët në pension pleqërie, jo vetëm ushtarakët në rezervë dhe pension të parakohshëm, të cilët përbëjnë një numër prej afro 22 mijë vetash, por edhe ushtarakët në detyrë, sepse edhe nga ata dalin çdo ditë në pension. Prandaj, doja të thosha se edhe ata janë të interesuar për një ligj të tillë",- tha ai.
Zoti Pogaçe, prej më shumë se një viti, qeveria është zotuar për të hartuar një ligj të ri për trajtimin me pensione të të gjithë ushtarakëve të nxjerrë në rezervë ose në pension të parakohshëm. Faktikisht, pas një kohe kaq të gjatë, çfarë është bërë në këtë drejtim?
Në qoftë se do të ktheheshim në retrospektivë, varianti që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, vërtetoi se pretendimet tona për antikushtetutshmërinë e tij, ishin me baza. Bazuar në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri dha urdhër për të bërë një variant të ri të ligjit të pensioneve për ushtarakët në rezervë dhe në pension të parakohshëm.
Por, duket se fatura financiare bëri që, gjatë miratimit të tij në qeveri, ai të rrëzohej, duke vendosur njëkohësisht që të ngarkoheshin Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Financave për të bërë një sërë rregullimesh dhe për të ndryshuar formulën e llogaritjes së masës së trajtimit financiar.
Që nga ajo kohë, janë bërë nja dy variante që kanë synuar të përmirësojnë disa elementë, por që s'kanë shkuar asnjëherë për miratim në qeveri dhe prandaj ne i kemi quajtur variante koti.
Shoqata jonë fitoi në Gjykatën Kushtetuese, sepse ligji përkeqësonte disa elementë, ndërsa variantet e hartuara së fundmi nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Financave, përkeqësojnë pothuajse të gjithë elementët. Prandaj, këto janë nonsense dhe absurde, pasi bien në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet e mëparshme.
Besoj se gjithçka që thuhet në publik nga ana e qeveritarëve tanë, bëhet për t'u dukur, për t'i thënë NATO-s se ne po plotësojmë kushtet për ushtarakët në rezervë dhe pension.
Natyrisht që, drejtuesit dhe ekspertët e NATO-s, e dinë shumë mirë se ç'po bëhet në këtë aspekt, sepse edhe shumë kushte të tjera nuk janë zgjidhur, por vendimi për t'u bërë anëtar i kësaj organizate, është marrë për arsye të tjera dhe jo se ishin plotësuar kushtet.
Anëtarësimi në NATO është në të mirë të vendit tonë, se, ndër të tjera, do të rritet dhe presioni ndaj qeverisë për të plotësuar ato standarde, që tani na mungojnë.
Ju si shoqatë, jeni njohur me këto dy drafte të rinj. Çfarë trajtimi financiar bëhet për këto kategori?
Ne si shoqatë, jemi njohur me ato drafte, por në mënyrë private dhe jo se na janë vënë në dispozicion zyrtarisht nga ana e atyre institucioneve, që e kanë për detyrë ta bëjnë këtë gjë dhe që janë marrë me hartimin e tyre.
Pavarësisht se ne si shoqatë dhe si grup interesi, na takon të japim mendime dhe sugjerime, sepse ai ligj bëhet për ne, Ministria e Financave dhe ajo e Mbrojtjes nuk na kanë ftuar, sepse ato e dinë se ne nuk jemi dakord të pranojmë projektligje, që synojnë të ulin nivelin e pensionit të ushtarakëve në krahasim me ligjet e mëparshme që kanë hyrë në fuqi, pavarësisht se padrejtësisht nuk zbatohen.
Megjithatë, ne si shoqatë, do të bëjmë çmos që të mos kalojë një variant i tillë dhe kjo, ndoshta, duke iu drejtuar përsëri Gjykatës Kushtetuese, gjithmonë në rast se një prej këtyre drafteve miratohet kështu siç janë.
Në çfarë niveli ulet masa e pensioneve?
Për të qenë të qartë, nivelet e pensioneve mbeten në atë nivel që janë tani. Por, kur them që ulet, e krahasoj me atë që është ligjëruar me ligjet e mëparshme, dhe këtu kam parasysh jo vetëm detyrimet që lindin nga statusi i ushtarakut, por edhe nga ligji 9418, i vitit 2005 dhe ligji 9481, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2007.
Mund të na thoni diçka konkrete, sa përqind ulen?
Pensioni i parakohshëm mbetet në nivelin që është. Pensioni suplementar, për ata që kanë dalë në pension përpara vitit 1991, nga 50 për qind që parashikojnë ligjet e mëparshme, ulet në masën 15 -20 për qind.
Pensioni i pleqërisë, së bashku me pensionin suplementar, për ata që kanë dalë në pension nga viti 1992 deri në vitin 1998, pothuajse nuk ka ndryshuar dhe mbetet në të njëjtën masë, pasi bëhet një farë rritjeje e pensionit të pleqërisë, por në të njëjtën kohë ulet masa e pensionit suplementar.
Z. Pogaçe, kohët e fundit ju kemi parë tepër aktivë në aktivitetet politike, krahas partive opozitare. Mendoni se do t'ju ndihmojë në zgjidhjen e çështjes suaj ky pozicionim politik?
Pyetja është e drejtë. Ne si shoqatë jemi e depolitizuar dhe pluraliste, në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë se gjithsecili ka të drejtë të militojë në atë forcë politike që do.
Në këtë sens, dua të them se një pozicionim i shoqatës sonë përkrah një spektri politik, e dëmton punën e shoqatës dhe anëtarëve të saj për të arritur qëllimet e veta, veçanërisht qëllimin kryesor, përmirësimi i gjendjes social-ekonomike të ushtarakëve në rezervë dhe pension.
Prandaj, organet drejtuese të organizatës, bazuar edhe në këshillat që na kanë dhënë miqtë tanë ndërkombëtarë, kanë vendosur të përdorin edhe votën e tyre, një e drejtë demokratike dhe kushtetuese e çdo qytetari që e hedh votën aty ku dëshiron dhe mendon se do të realizohen më mirë dëshirat dhe ëndrrat, synimet e veta individuale, por edhe të përgjithshme.
Është e drejta jonë, si çdo qytetar, që ne t'ia japim votën asaj force që premton, por edhe që e mban premtimin për realizimin e interesave tona. Ne kemi kërkuar prej vitesh ndihmë, në të gjithë spektrin e politikës, nga e majta në të djathtë.
Dua të kujtoj se ligji i vitit 2005 u miratua me një ndihmë jo të vogël edhe të deputetëve të djathtë, por që, padrejtësisht, kjo e djathtë e anuloi zbatimin e tij dhe ka tri vite e gjysmë që tallet me ne.
Kjo do të thotë se ju si shoqatë, do t'ua jepni votën socialistëve?
Do të shohim ofertat që do të na vijnë nga forcat politike. Ne ende nuk kemi vendosur, pasi do të mbledhim organet drejtuese për të marrë një vendim dhe më pas do t'i bëjmë thirrje anëtarësisë. Por, deri më tani, më afër interesave tona qëndron Partia Socialiste.
Dua të theksoj se vota jonë do të ketë një peshë të madhe, pasi lidhur me projektligjin që ne kërkojmë të miratohet në favor të interesave tona, janë të interesuar jo vetëm ushtarakët në pension pleqërie, jo vetëm ushtarakët në rezervë dhe pension të parakohshëm, të cilët përbëjnë një numër prej afro 22 mijë vetash, por edhe ushtarakët në detyrë, sepse edhe nga ata dalin çdo ditë në pension. Prandaj, doja të thosha se edhe ata janë të interesuar për një ligj të tillë.
Intervistoi: