E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE organizon takim Si mund te pakesohet diskriminimi ne shkolla

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) mbajtën sot, një takim ku diskutuan se si mund të pakësohet diskriminimi nëpër shkolla.

Kryetari i Prezencës, ambasadori Eugen Uollfarth dhe komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, morën pjesë në këtë veprimtari, e cila u organizua në kuadër të bashkëpunimit të Prezencës me komisionerin për të rritur ndërgjegjësimin për diskriminimin, veçanërisht te nxënësit dhe mësuesit.

Gjatë veprimtarisë, u përurua një ekspozitë me vizatime dhe krijime poetike të nxënësve 10-15 vjeçarë mbi temën e diskriminimit. Juria u dha çmime disave prej tyre.

Punimet artistike do të botohen në një broshurë, e cila do të shpërndahet më pas në shkollat nëntëvjeçare.

Në takim, një psikologe paraqiti një panoramë se si fëmijët e perceptojnë diskriminimin, duke shtuar se çfarë mund të bëhet për ta pakësuar akoma më shumë diskriminimin.

Dy ekspertë në fushën e anti-diskriminimit, gjithashtu, folën se si zbatohet te nxënësit ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri punon për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për çështjet e diskriminimit. Prezenca ka ndihmuar komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi që prej shkurtit 2010, kur Kuvendi i Shqipëri miratoi ligjin “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, sidomos me mbështetjen e krijimit të faqes në internet të Komisionerit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›