E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE promovon bashkëpunimin e gazetarëve Prishtinë- Beograd

PRISHTINË- Seminari dy ditor për raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit mblodhi gazetarët nga Prishtina dhe Beogradi, në një projekt të përbashkët të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Misionit të OSBE-së në Serbi.

Pjesëmarrësit e seminarit, i cili përfundoi sot në Prishtinë, kanë rënë dakort që bashkëpunimi mes gazetarëve dhe ambienti i punës i lirë nga presioni i paligjshëm, janë parakusht për një raportim investigativ të suksesshëm.

"Gazetaria hulumtuese e suksesshme kërkon shkëmbim më të fuqishëm të informacionit dhe rrjetëzim. Për këtë arsye bashkëpunimi është i domosdoshëm pasi korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk njohin kufi”,- tha Ambasadori Werner Almhofer, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Sipas njoftimit nga ky mision, seminari është vijim i një aktiviteti të ngjashëm të organizuar në Beograd në nëntor të vitit 2010, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të mediave në gazetarinë hulumtuese.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›