E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE/ODIHR: Ligji ka implikime kushtetuese

 

Insistimi i ndërkombëtarëve për të shtyrë miratimin e ligjit të Dosjeve në Parlament vazhdoi deri dje pak orë para votimit. Në një deklaratë për shtyp, OSBE-ODIHR kanë kërkuan paraditen e së hënës, që maxhoranca të tërhiqej nga qëndrimi i saj i palëkundur për të kaluar ligjin në Kuvend. “Kryetari i prezencës së OSBE-së, ambasadori Roberti Bosch dhe drejtori i zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODHIR), ambasadori Janez Lenarcic, nxitën sot Parlamentin shqiptar që të marrë parasysh shtyrjen e votimit të planifikuar të projektligjit mbi “Pastërtinë e Figurave”, në mënyrë që të lihet kohë e mjaftueshme për konsultime më të gjera”, thuhet në një njoftim për shtyp të zyrës së marrëdhënieve me Publikun në OSBE. Ambasadori i këtij organizmi Robert Bosch tha se “Është e domosdoshme që çdo proces lustrimi të plotësojë standardet ndërkombëtare dhe të kryhet me një konsensus sa më të gjerë”. Drejtori i zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODHIR), ambasadori Janez Lenarcic theksoi se “ligji ka implikime serioze kushtetuese dhe politike, dhe shtyrja e votimit për të lejuar konsultime më të gjera do të ishte e mirëpritur”. Sipas njoftimit Prezenca në Shqipëri dhe ODIHR-i ishin të gatshëm të mbështesnin autoritetet shqiptare dhe nëse do t’u kërkohej, të jepnin asistencën dhe ekspertizën e tyre mbi këtë projektligj. Për të dytën herë brenda një jave misioni i OSBE-së në Tiranë del kundër ligjit për hapjen e dosjeve. Në 18 dhjetor, në një prononcim për mediat, kreu i misionit Robert Bosch paralajmëroi maxhorancën se p/ligji për Pastërtinë e Figurës cenon disa nene kushtetuese. Ambasadori i OSBE-së Robert Bosch i ftuar në një tryezë të Këshillit të Rregullim Territorit në qytetin e Durrësit iu përgjigj interesit të gazetarëve për ligjin e njohur ndryshe si projektligji për hapjen e dosjeve. “Ndajmë të njëjtin qëndrim me SHBA-në. P/ligji cenon disa nene kushtetuese dhe duhet të ketë diskutime gjithëpërfshirëse për të”, tha qartë ambasadori i OSBE-së Robert Bosch.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›