E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE/ODIHR Te vihet ne zbatim cfare thote ligji

Kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet, është takuar sot me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pas takimit, Stonestreet, deklaroi për gazetaret se u bisedua për procesin zgjedhor në tërësi me kreun e KQZ, dhe jo në veçanti për procesin e Tiranës.

I pyetur për çështjen e fletëve të kontestuara, Jonathan Stonstreet, tha se nuk është këtu për të komentuar ligjin ku është bazuar KQZ, por për të grumbulluar informacione për raportin përfundimtar për procesin e zgjedhjeve të 8 majit nga OSBE-ODIHR.

“Nuk diskutuam për procesin që po vazhdon.

Ky takim u përqendrua në të ardhmen e të gjithë procesit elektoral.

Unë nuk dëshiroj të interpretoj atë që thotë ligji, por një parim i rëndësishëm që duhet të ndiqet është ai i shtetit të së drejtës dhe të vihet në zbatim ajo çfarë thotë ligji”, tha ai.

Duke shtuar se për raportin e OSBE-ODIHR-it duhen marrë parasysh jo vetëm qëndrimet e partive politike por edhe të atyre të administratorëve të zgjedhjes, shoqërisë civile dhe atyre që janë të interesuar në proces.

Ai u shpreh se ka marrë nga KQZ informacione të nevojshme për t’i shtuar në raportin përfundimtar që do të nxjerrë pas dy muajsh OSBE-ODIHR.

Ditën e nesërme misioni do të largohet ndërsa do të mbeten vetëm dy analistë të ODIHR-it, të cilët do të monitorojnë edhe pjesën e mbetur të procesit dhe që ka të bëjë me animimet në Kolegjin Zgjedhor sa i takon Bashkisë së Tiranës.

Pas gjashtë javësh, do të publikohet edhe raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›