E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE/ODIHR, nota pozitive për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Berat

Përfaqësues të OSBE/ODIHR të akredituar në Berat, kanë vlerësuar me nota pozitive, procesin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare. Sipas burimeve të sigurta pranë OSBE-së bëhet e ditur se raporti përfundimtar në lidhje me ecurinë e procesit i është dërguar qendrës, e cila do të shpall zyrtarisht dhe përfundimet e mbajtura nga vëzhguesit e huaj dhe shqiptarë gjatë këtyre ditëve. Në këtë raport është vlerësuar puna e anëtarëve të komisionit, gjatë procesit të votimit, qetësia që ka karakterizuar qendrat e votimit ku qytetarët kanë shkuar për të votuar. Është vlerësuar pozitivisht puna e policisë, e cila ka qenë në gatishmëri të shoqërimit të kutive të votimit nga qendrat deri të KZAZ-ve, ku më pas procesi i numërimit ka qenë nën monitorimin e kamerave të instaluara në 4 KZAZ-të e qarkut të Beratit. Në raport, po sipas burimeve, është cituar dhe procesi i numërimit i cili ka vazhduar qetësisht por edhe pse me vonesa për të nxjerrë rezultatin përfundimtar, përfundimet kanë qenë sipas udhëzimeve duke u verifikuar çdo detaj dhe në bazë të ligjit, që ka përcaktuar funksionin e kësaj pjese të rëndësishme të procesit zgjedhor. Gjithashtu në raportin e shkruar është vendosur dhe bllokimi i kutisë të lagjes periferike Uznovë të qytetit të Beratit, e cila ishte pezulluar për shkak se vula nga ana e anëtarit të komisionit në qendrën e votimit të kësaj lagjeje, nuk ishte vendosur në vendin e duhur. Por, pas një nate bllokimi, numërimi i kësaj kutie me 500 vota , është bërë ditën e tjetër ku pas vendimit të anëtarëve të komisionit të KZAZ-së, votat kanë kaluar në sitë verifikimi duke nxjerrë rezultatin, i cili nuk ka ndryshuar asnjë mandat të forcave që kanë pasur epërsi në këto zgjedhje. Por, me gjithë këtë bllokim i cili priste të thyente rezultatin ku mandati i PD-së, i treti mund ti kalonte PR-së, votat treguan se asgjë nuk ndryshoi. Pas gjithë këtij procesi, OSBE/ODIHR e kanë vlerësuar pozitivisht mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare në qarkun e Beratit, gjë që tashmë pritet të deklarohet zyrtarisht nga qendrat e këtyre institucioneve në qytetin e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›