OSBE/ODIHR pritet të publikojë raportin përfundimtar për 28 qershorin
Brenda gjysmës së parë të muajit shtator pritet të publikohet raporti për vëzhgimin e zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR-i. Misioni vëzhgues u hap në Tiranë më 8 maj me 12 ekspertë në kryeqytet dhe 26 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë nëpër të gjithë territorin shqiptar. Asambleja Parlamentare e OSBE-së zhvilloi vizita parazgjedhore më 15 maj dhe 8-9 qershor dhe Asambleja Parlamentare e Europës zhvilloi një vizitë parazgjedhore më 4-5 qershor 2009. Ditën e zgjedhjeve, 395 vëzhgues u organizuan nga një Mision Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, ku përfshihej një delegacion me 36 anëtarë nga Asambleja Parlamentare me 5 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s. Vëzhguesit vinin nga 38 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së. Misioni vëzhgoi votimin në mbi 1375 qendra votimi nga 4753 gjithsej dhe numërimin në të 66 vendet e numërimit të votave. Zoti Wolfgang Grossruck, zëvendëspresidenti dhe kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, u caktua nga kryetari i Radhës i OSBE-së si koordinator special për drejtimin e misionit vëzhgues të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së. Zonja Corien Jonker kryesoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe zoti Bruce George ishte në krye të misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ambasadorja Audrey Glover ishte në krye të misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR-i. Në konkluzionet paraprake për zgjedhjet e 28 qershorit, thuhej se ato shënuan një progres të prekshëm për sa i përket kuadrit ligjor, i cili u miratua në mënyrë konsensuale nga të dyja partitë kryesore dhe procesit të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, një progres që më parë kishte qenë burim polemikash. Këto përmirësime konstatohej se u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit nga partitë politike, si edhe nga shkeljet që u vëzhguan gjatë fushatës zgjedhore, elemente këto që zbehën besimin e publikut në procesin zgjedhor. Dita e zgjedhjeve u vlerësua të ishte përgjithësisht e qetë e paqësore dhe atmosfera ishte përmirësuar. Procesi i votimit u vlerësua si pak më shumë pozitiv se në zgjedhjet e tjera, megjithëse u vëzhguan një sërë shkeljesh procedurale. Zgjedhjet vlerësohen për përputhshmërinë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës për zgjedhje demokratike, si edhe me legjislacionin shqiptar.