E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe Lakrori nisin përballjen e parë në Elbasan

Gara zgjedhore mes Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit nis në Elbasan. Dy kandidatët e vetëm që u futën në garë që nga kongresi i jashtëzakonshëm, Rama dhe Lakrori, sot pasdite do të zhvillojnë një takim në skenën e teatrit "Skampa" të qytetit të Elbasanit. Burime të besueshme në degën e PS-së së Elbasanit dhe brenda organizatorëve të kësaj tryeze debatuese, bëjnë me dije se sot pasdite, në orën 18:00, në sallën qendrore të teatrit "Skampa" të qytetit të Elbasanit dy rivalët për kreun e drejtimit të PSSH, Rama dhe Lakrori, do të debatojnë në qytetin e Elbasanit përballë afro 300 pjesëmarrësve me paraqitjen e programeve të tyre partiake për kreun e kësaj partie. Të njëjtat burime bëjnë me dije se janë lajmëruar përfaqësues nga 12 qarqe të vendit, ku në këtë debat, krahas socialistëve të zonës, në mbështetje të tyre për kryetarin në detyrë, Rama, ndoshta do të mund të jenë edhe mysafirët nga qarqe të ndryshme të vendit. Në fakt, ka ndodhur shpesh që Elbasani të mbetet barometri politik mes forcash apo rivalësh politikë, përderisa këtu nisin betejat apo hapjet e fushatave elektorale. Kështu ka ndodhur me Berishën, me Ramën apo Metën në zgjedhjet e fundit parlamentare, por kështu ka ndodhur dhe ndër vite, jo pak herë sikurse Nano që sa herë ka dhënë dorëheqjen, në Elbasan ka nisur garën për ambiciet e tij. Për rastin në fjalë, sot pasdite, Rama dhe Lakrori nisin debatin mes tyre para socialistëve në bazë, nga ku mësohet se një debat i tillë do të organizohet në rrethet kryesore të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›