E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, LSI: Jo privatizimit

Tiranë -Lëvizja Socialiste për Integrim ka kundërshtuar privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), që sipas kësaj force politike ka dy probleme të mëdha. Sipas deputetit të LSI-së Dritan Prifti, OSSH-ja po shitet me një vlerë minimale. Problemi i dytë sipas LSI-së, ka të bëjë me vendimin e qeverisë për t’i hequr një pjesë të borxheve OSSH-së, për t’ia kaluar KESH-it, do të thotë që kanë ndryshuar kushtet e tenderit, do të thotë që kjo kompani është favorizuar, duke diskriminuar kompanitë e tjera.

“Ky çmim real duket që është rreth 70 milionë euro për një ndërmarrje që ka një vlerë tregu, të paktën 1 miliard euro. Pra, shikojeni vetë se çfarë çmimi qesharak është dhënë për këtë ndërmarrje, që është kapital i gjithë shqiptarëve, ku të gjithë me vite me radhë kanë kontribuar. Pra, vlera me të cilën po shitet është skandaloze, shumë e ulët dhe e dyta ka pasur shkelje flagrante ligjore në procesin e privatizimit”-theksoi Prifti.

Deputeti i LSI-së, tha se kjo forcë politike është kundër këtij privatizimi. “Menjëherë pas zgjedhjeve, me ardhjen tonë në Qeveri, ky do të jetë një nga privatizimit që do të rishikohet menjëherë prej nesh, sepse është një privatizim skandaloz, në të gjitha aspektet. Edhe në aspektin e vlerës, që shitet të paktën 7-8 për qind të vlerës reale të tregut të kësaj kompanie dhe në aspektin e shkeljes së ligjeve të prokurimeve dhe tenderave në Shqipërisë”-tha më tej Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›