E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngec zgjedhja e kreut të PD-së për Tiranën

09/03/2009  Zvarriten procedurat në statutin e partisë për drejtuesit e rinj të degës së kryeqytetit

Kreu i ri i demokratëve të kryeqytetit pritet të mësohet pas zgjedhjeve të 28 qershorit

Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike nuk pritet të respektojnë afatet e caktuara më parë. E themi këtë duke marrë parasysh ngecjen e procesit në degën më të madhe të kësaj force politike: atë të Tiranës. Dega e kryeqytetit cilësohet si më e rëndësishmja, pasi numri i deputetëve që dalin nga ky qark është më i madhi për shkak të numrit të madh të popullsisë e për rrjedhojë edhe të elektoratit. Procesi i zgjedhjes së kreut të ri të PD-së së Tiranës ka një procedurë të mirëcaktuar. Aktualisht procesi ka ngecur te zgjedhja e grup-seksioneve dhe me pas te delegatët. Kjo ka ndikuar në zgjedhjen e kryetarin e ri të degës së Tiranës. Duke parë këtë situatë, zgjedhjet e brendshme për degën më të madhe në vend do të shtyhen pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Deri tani mësohet se janë mbi 12 emra të propozuar nga strukturat e bazës së Partisë Demokratike për të drejtuar degën më të madhe të kësaj partie. Emrat e propozuar nga seksionet janë përcjellë në zyrën e organizimit të PD-së, e cila ia përcjell më tej kryesisë qendrore. Statuti i PD-së thotë se kryesia e partisë mund të vendosë grupimin e disa seksioneve në njësi më të mëdha organizative dhe që mund të përkojnë me territoret administrative të njësive lokale apo me territoret elektorale. Seksionet përbëjnë celulën bazë të organizimit të PD-së. Më pas janë grup-seksionet, që do të përbëhen nga disa seksione dhe do të kenë rolin e nëndegëve. Në organizim përfshihen strukturat në rang rrethi, të cilat janë identike me rolin që luajnë degët aktuale në partisë. Në fund janë degët në rang qarku, që përbëjnë organizimin më të madh të partisë. Sipas nenit 27 të statutit, kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Kryetari i degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen e lirë të çdo anëtari të kryesisë. Kryetarët i degëve janë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Rreth një vit më parë kryesia e përgjithshme e PD-së, në bazë të vendimeve të marra në mbledhjet e Këshillit Kombëtar, vendosi që në rang vendi të ngrinte 12 grupe pune, që përkojnë me 12 qarqe, ndërsa në Tiranë janë ngritur grupe pune sipas njësive bashkiake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›