E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH gjobit dy mijë familje në Mallakastër, nisin protestat

Ndëshkimi Konsumatorët që akuzohen se kanë ndërhyrë te matësit, do të paguajnë 1000 kilovat

Rreth dy mijë familje në rrethin e Mallakastrës janë gjobitur nga OSSH-ja me 1000 kilovat, pasi dyshohet se kanë manipuluar matësit e energjisë elektrike në banesa. Në rast se qytetarët nuk e paguajnë këtë sasi të lartë energjie, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka kërcënuar me ndërprerje të furnizimit.

Kjo ka shtyrë qindra banorë të Mallakastrës të protestojnë dje në Ballsh, duke kërkuar ndërhyrjen e prefekturës dhe institucioneve më të larta në vend. Sipas banorëve, veprimi në fjalë është një rast abuzimi i hapur nga drejtuesit e OSSH-së.

Gjatë protestës së zhvilluar dje, ata thanë se matësit e tyre elektrikë kanë kohë që nuk shihen nga faturistët. Ata thonë gjithashtu se matësit e energjisë që kanë nëpër shtëpi janë të vjetër. “është një padrejtësi që kryhet jo mbi një apo dy familje, por mbi 2000 të tilla. Ky është një rast i hapur vjedhjeje dhe abuzimi nga OSSH-ja. Problemi ynë doli papritur para tri ditësh, kur na erdhi një letër, me anë të së cilës na thuhej se duhet të paguajmë sasinë prej 1000 kilovatësh”, tha Faslli çela, një nga personat e gjobitur. Letra në fjalë është përcjell te familjet që konsiderohen debitore nga disa persona që janë prezantuar si nëpunës të Drejtorisë së OSSH-së në Tiranë.

Pas shpërndarjes së urdhrave në fjalë, banorët janë njoftuar se për sqarime mund të shkojnë pranë filialit të OSSH-së në Fier. Shumë prej tyre kanë shkuar në Fier, por aty u kanë thënë se duhet të ankohen në Ballsh. Prej tri ditësh përfaqësuesit e dy mijë familjeve mallakastriote janë duke u endur sa në Fier dhe në Ballsh, pa gjetur zgjidhje.

Prej përfaqësuesve të të gjobiturve mësohet se ka edhe nga ato familje që i kanë paguar rregullisht faturat e energjisë, por që tashmë rezultojnë debitore. Akuzat e banorëve të irrituar arrijnë deri aty sa ata thonë se gjoba e tyre është bërë për efekt përfitimi nga drejtuesit e OSSH-së.
Megjithëse banorët e kanë paraqitur ankesën e tyre te drejtuesit e OSSH-së në Ballsh dhe në Fier, sërish shqetësimi nuk ka gjasa të gjejë zgjidhje. Të ndëshkuarit kërcënojnë se do të përshkallëzojnë protestat deri në zbardhjen përfundimtare të këtij abuzimi të radhës nga ana e OSSH-së.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›