E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH "gjobit" konsumatorët afrofe

Rreth 100 mijë konsumatorë pa matës të energjisë elektrike vijuan të paguajnë për muajin prill me tarifat e dimrit, gjë që nënkupton pagesë të tepërt prej 3 mijë lekësh në muaj, ndërkohë që OSSH nuk jep një shpjegim të qartë për këtë problem. Konsumatorët pa matës paguajnë sipas një vendimi të Entit Rregullator një sasi fikse mujore të ndarë në tarifë dimri dhe tarifë vere, sipas konsumit ‘mesatar‘ të zonës ku banojnë. Për Tiranën paguhet një sasi prej 600 kilovatësh për periudhën tetor-mars dhe një sasi prej 400 kilovatësh për periudhën prill-shtator. Por faturat e muajit prill, këtë vit ishin identike me faturat e marsit, gjë që i detyron këta konsumatorë të paguajë rreth 3 mijë lekë më shumë nga sa u takon.

OSSH thotë se ky është një "problem teknik", por nuk dha ndonjë shpjegim se si mund të zgjidhet. Për shkak se bie ndesh me vendimet e Entit Rregullator të Energjisë elektrike, faturat e prillit, për këtë kategori konsumatorësh që përbën mbi 10 për qind të klientëve të OSSH, janë të paligjshme. OSSH është angazhuar prej vitesh të pajisë konsumatorët me matës dhe t‘i japë fund praktikës afrofe, por deri më sot nuk ia ka dalë. OSSH është aktualisht në vështirësi të mëdha financiare si dhe në ethet e kalimit të pronësisë nga Ministria e Ekonomisë te kompania çeke CEZ, e cila e bleu pak muaj më parë. Konsumatorët pa matës kanë paguar përgjithësisht dy deri në tri herë më shumë sesa konsumatorët me matës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›