E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët me leucemi kronike, pjesë e listës së barnave

Pjesë e rimbursimit në listën e barnave të vitit 2009 do të jenë edhe dy kategori, të transplantuarit dhe pacientët me sëmundje të gjakut, leucemi.

Dje, në Konferencën e Farmacive, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka bërë një rezyme për listën e barnave, edhe pse vendimi i qeverisë po vonon e akoma nuk është marrë, pavarësisht se ka kohë që ka mbërritur në Këshillin e Ministrave. "Kështu, nëse do t‘i referoheshim listës së barnave, gjatë 4 viteve të fundit, ajo është pasuruar me 50 barna dhe formë-doza të reja, si edhe me 27 principe të reja aktive, gjithashtu është shtuar me 172 alternativa tregtare, duke arritur në total numrin prej 405 barnash dhe 944 alternativa tregtare", tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, është rritur numri i diagnozave të mbuluara me trajtim mjekësor të rimbursuar si mbulimi i trajtimit të leucemisë kronike, trajtimi për mosplakjen e organeve të transplantuara, trajtimi i infeksioneve post-transplantive, duke arritur një mbulim prej 95% të sëmundshmërisë kronike nga lista e rimbursueshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›