E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statistikat "sekrete", buxheti në krizë

Ministria e Financave ka ndaluar prej gjashtë muajsh publikimin e statistikave të buxhetit dhe duket se ka një arsye shumë të fortë për këtë: statistikat, të cilat u publikuan së fundmi nga Banka e Shqipërisë, tregojnë rritje minimale të të ardhurave dhe rritje stratosferike të shpenzimeve. Statistikat paraqesin një situatë shumë të ndryshme nga sa shpallte qeveria në luftën e vet për të mohuar pasojat e krizës. "Të ardhurat e buxhetit qendror janë realizuar 100 për qind", - deklaroi pak ditë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode. "Deficiti në të ardhura është krijuar nga bashkitë dhe komunat".

Statistikat në fakt tregojnë se të ardhurat e pushtetit vendor janë rritur shumë më shpejt nga ato të pushtetit qendror, ndërkohë që buxheti është mbushur me "të ardhura jotatimore", ku nënkuptohet transferimi i fitimit nga Banka e Shqipërisë dhe të ardhurat nga privatizimi.

Ekonomia me rritje zero

Të ardhurat tatimore dhe doganore, të cilat u rritën me vetëm 3 për qind kundrejt vitit të kaluar, tregojnë para së gjithash periudhën e vështirë ekonomike që po kalojnë shqiptarët. Të ardhurat tatimore janë tregues i konsumit dhe aktivitetit ekonomik në tërësi. Në rast se ekonomia rritet me 5 për qind, aq sa thotë qeveria, të ardhurat nga taksat duhet medoemos të rriten me së paku 8 për qind. Për këtë vit, plani i qeverisë ishte që të rriste të ardhurat me 12.2 për qind. Por kriza, të cilën qeveria nuk e ka pranuar asnjëherë, duket qartë se ka ulur konsumin e shqiptarëve dhe aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve. Historikisht të ardhurat tatimore në Shqipëri janë më të mëdha në pjesën e parë të vitit dhe më të dobëta në pjesën e dytë. Rritja minimale e vërejtur në tre muajt e parë paralajmëron për krizë më të thellë në pjesën tjetër të vitit.

Rritje spektakolare e shpenzimeve

Ndërkohë që të ardhurat janë rritur minimalisht, shpenzimet janë rritur "me ritme dyshifrore" në të gjitha drejtimet, duke zhytur shqiptarët në borxhe dhe duke hedhur themelet për jetesë shumë të vështirë në muajt pas zgjedhjeve. Kështu, shpenzimet totale të tremujorit të parë u rritën me shifrën marramendëse të 43 përqindëshit, ku nuk qenë thjeshtë shpenzimet e rrugës Durrës-Kukës problemi më i madh. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes u rritën me 44 për qind. Këto janë paratë që shkojnë për telefonata, kancelari, makina, naftë, apo mirëmbajtje të vogla të institucioneve publike. Në të gjitha kohërat janë parë si zëri i vjedhjeve të vogla. Të vogla, por të shumta, në total këto shpenzime i kushtojnë shqiptarëve qindra milionë euro në vit. Reduktimi i tyre ka qenë premtim i shumëfishtë i Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij. Gjatë viteve 2006-2008, premtimi u mbajt dhe këto shpenzime u ulën në krahasim me qeverisjen socialiste. Por këtë vit janë parashikuar të rriten sërish, duke konkurruar gjerësisht me shpenzimet operative e të mirëmbajtjes të periudhës 2002-2004. Shpenzimet janë rritur edhe për pushtetin vendor, si pasojë e dëshirës për të prerë shirita para zgjedhjeve, si dhe për sigurime shoqërore e shëndetësore. Të dhënat e tremujorit tregojnë se një periudhë shumë e vështirë i pret shqiptarët gjatë muajve në vijim. Kjo nuk ndodh për herë të parë. Zgjedhjet e viteve 2001 dhe 2005 u pasuan gjithashtu me periudha të vështira krizash energjetike dhe financiare.

Mar-08 Mar-09 Ndryshimi%
Totali i të ardhurave 63,594 72,289 13.67
Të ardhura tatimore 60,420 64,320 6.45
Nga tatimet dhe doganat 46,867 48,261 2.97
Të ardhura nga pushteti lokal 2,422 3,011 24.32
Të ardhura nga buxheti i pavarur (kontribute) 11,131 13,048 17.22
Të ardhura jotatimore 3,133 7,739 147.02
Totali i shpenzimeve 53,098 76,042 43.21
Shpenzimet korrente 48,032 57,842 20.42
Shpenzime për personelin 14,172 14,075 -0.68
Interesat 6,926 8,434 21.77
Shpenzime operative mirëmbajtje 3,703 5,348 44.42
Subvencionet 207 474 128.99
Shpenzime për sigurimet sociale 16,640 20,997 26.18
Shpenzime për buxhetin lokal 3,776 5,264 39.41
Shpenzime të tjera 2,608 3,250 24.62
Shpenzime kapitale 5,066 18,201 259.28


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›